Cakolli e quan “tallje me qytetarët” dështimin e sërishëm për konstituim të Kuvendit

“Tallje me qytetarët”, e ka quajtur Eugen Cakolli nga “Demokracia në Veprim” dështimn e sërishëm të konstituimit të Kuvendit të Kosovës, me Lëvizjen Vetëvendosje e cila veçse ngul këmbë në Albulena Haxhiun e cila s’ka vota, dhe në të njëjtën kohë s’arrin marrëveshje politike me partitë tjera. Postimi i Cakollit: Kuvendi vazhdon të tallet, jo…

Lajme

27/04/2025 11:32

“Tallje me qytetarët”, e ka quajtur Eugen Cakolli nga “Demokracia në Veprim” dështimn e sërishëm të konstituimit të Kuvendit të Kosovës, me Lëvizjen Vetëvendosje e cila veçse ngul këmbë në Albulena Haxhiun e cila s’ka vota, dhe në të njëjtën kohë s’arrin marrëveshje politike me partitë tjera.

Postimi i Cakollit:

Kuvendi vazhdon të tallet, jo vetëm me veten, por edhe me qytetarët.

Edhe sot, një të dielë, një tjetër seancë për pesë minuta “punë” – pa asnjë ndryshim real. Me shumicën e deputetëve që vonohen pa asnjë ndjesi urgjence, sepse nuk kanë as ngutje, as vullnet për ta zgjidhur ngërçin.

Në këtë cikël absurd, të gjithë e dinë se publiku është lodhur nga papërgjegjësia politike. Prandaj, kur të ketë vërtet vullnet për marrëveshje, ajo nuk do të ndodhë rastësisht në sallë e as papritur në ditën e seancës.

Nëse vjen marrëveshja, ajo do të paraprihet nga sinjale të qarta – deklarata të reja, ton tjetër, narrativë e ndryshuar – veçanërisht nga Lëvizja Vetëvendosje. Qoftë për formimin e institucioneve, qoftë për shkuarjen në zgjedhje.

Deri atëherë, shfaqja teatrale vazhdon. Me aktorët e njëjtë, rolet e njëjta dhe një fund të njohur. Fatkeqësisht, edhe me spektatorë që ende presin fund tjetër – nga e njëjta kastë dhe i njëjti skenar.