Byzylykët elektronik ende askund, MPB hesht për procesin

Ani pse për byzylykët elektronikë është ndarë një shumë e ka vite që ligji ka hyrë në fuqi, kjo ende nuk po gjen ende zbatim. Organizata të shoqërisë civile shprehen të shqetësuar për ngecjen e procesit gjersa bëjnë apel që hallkat elektronike të funksionalizohen sa më shpejtë. Nga Ministria e Drejtësisë nuk kanë dhënë detaje…

Lajme

27/10/2024 22:08

Ani pse për byzylykët elektronikë është ndarë një shumë e ka vite që ligji ka hyrë në fuqi, kjo ende nuk po gjen ende zbatim.

Organizata të shoqërisë civile shprehen të shqetësuar për ngecjen e procesit gjersa bëjnë apel që hallkat elektronike të funksionalizohen sa më shpejtë. Nga Ministria e Drejtësisë nuk kanë dhënë detaje mbi procesin e nga MPB kanë heshtur krejtësisht për të.

Janë premtim i kamotshëm e pjesë e ligjit qysh nga viti 2015.

Por, byzylykët elektronik të cilët përdoren enkas për personat të cilëve iu kufizohet lëvizja me vendim të gjykatës, nuk kanë gjetur ende zbatim.

Për Rrjetin e Grave të Kosovës ngecja e këtij premtimi mbetet shqetësuese.

”Vonesa e byzylykëve elektronikë nuk arsyetohet në sistemin tonë të drejtësisë. Pezullimi i procesit mund të ndikojë në rritjen e rasteve recediviste sepse fatkeqësisht dhunën duhet ta trajtojmë edhe në mënyra të tjera mirëpo kjo është formë mbikëqyrëse e ushtruesve të dhunës, që ata të jenë në mbikëqyrje të shtetit. Duke pasur parasysh që ka mjaft raste recidive, raste që përsëriten, mendojmë që posedimi i hallkave do i parandalonte përsëritjen e tyre”, ka thënë Adelina Berisha, nga Rrjeti i Grave të Kosovës.

Berisha nuk shprehet optimiste në funksionalizimin e këtij procesi këtë vit.

”Unë nuk kam shumë shpresë që do realizohen këtë vit, do ishte idealja të kryhet sa më shpejtë e të përfundojnë proceset e prokurimit dhe të bëhen sa më shpejt funksionale në sistemin e Kosovës. Po shpresoj se këtë vit por nuk do donim që kjo të shtyhet dhe të jetë premtim politik i partive gjatë fushatës zgjedhore sepse është nevojë për parandalim të krimit”, ka thënë Adelina Berisha, nga Rrjeti i Grave të Kosovës.

Nga Ministria e Drejtësisë nuk kanë dhënë detaje për procesin.

Lidhur me kërkesën tuaj, Ju lutem t’i drejtoheni institucionit përkatës, në këtë rast Ministrisë së Punëve të Brendshme– Ministria e Drejtësisë.

E nga kjo e fundit siç ndodhë rëndom, nuk i janë përgjigjur interesimit të Dukagjinit ndonëse pyetjet i kanë pranuar.

Në prill të vitit të kaluar, Qeveria e Kosovës ndau 600 mijë euro për blerjen e byzylykëve dhe nisjen e zbatimit të ligjit.

Në korrik të këtij viti, MD kishte njoftuar se Ministria e Punëve të Brendshme kishte nënshkruar kontratën me një Operator Ekonomik me qëllim të zbatimit të këtij ligji.