Bytyqi i PDK-së: Qasja anti-amerikane e Kurtit dhe VV-së e ka vendosur Kosovën në pozitë të vështirë

Zëdhënësi i PDK-së, Avni Bytyqi ka shkruar lidhur me tërheqjen e trupave amerikanë nga Gjermania duke aluduar në miqësitë të cilat po zbehen midis shteteve.

Lajme

09/06/2020 22:55

E këtu ai ka thënë se Kosova duhet të marrë mësim nga këto ngjarje.

“Qasja anti-amerikane në Kosovë e udhëhequr kryesisht nga Lëvizja Vetëvendosje dhe Albin Kurti, e përkrahur edhe nga ndonjë parti tjetër më e vogël, e disa politikanë rebelues ndaj partive të tyre, e kanë vënë Kosovën në një pozitë të rrezikshme ku Serbia shihet si palë racionale, ndërsa Kosova si pala problematike.”, tha Bytyçi.

Mët utje ai ka thënë se politikanët në Kosovë duhet të dinë se përkrahja amerikane nuk është e mirëqenë, por ka kushte dhe parime që duhet të respektohen.

Ky është postimi i tij i plotë:

Presidenti i ShBA-së, z. Trump, ka kërkuar nga Pentagoni inicimin e tërheqjes së trupave amerikane nga Gjermania, aleati kyç i saj në Evropë si nga aspekti ekonomik dhe ai i sigurisë.

Kështu, duke shkaktuar një tërmet të reagimeve, edhe frikë e shqetësim për gjermanët, të cilët janë një nga popujt më të pasur dhe më të avancuar në botë.

Ndryshimet në marrëdhëniet ndërkombëtare, janë duke shkundur situatën politike në shumë vende të botës, duke rrënuar normat tradicionale të aleancave të hershme.

Aleancat e vjetra që shiheshin si të pathyeshme, po lëkundën.

Është mirë që Kosova të marrë mësim nga këto ngjarje. Qasja anti-amerikane në Kosovë e udhëhequr kryesisht nga Lëvizja Vetëvendosje dhe Albin Kurti, e përkrahur edhe nga ndonjë parti tjetër më e vogël, e disa politikanë rebelues ndaj partive të tyre, e kanë vënë Kosovën në një pozitë të rrezikshme ku Serbia shihet si palë racionale, ndërsa Kosova si pala problematike.

Një situatë kontradiktore nëse krahasohet me ngjaret e 21 viteve më parë që kanë rezultuar me lirinë dhe themelimin e shtetit të Kosovës.

Në këtë kontekst, është me rëndësi që klasa jonë politike dhe qeveria aktuale të mbajë mend se përkrahja amerikane nuk është e mirëqenë, ajo ka kushte dhe parime të cilat ne duhet t’i respektojmë. /Lajmi.net/