Bytyçi: Ligji për mbrojtjen e vlerave të luftës së UÇK-së nuk ka për qëllim t’i ndajë ‘tradhtarët dhe heronjtë’ e luftës

Deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës, Gazmend Bytyçi, ka thënë se Ligji për mbrojtjen e vlerave të luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës nuk ka të bëjë me individët e caktuar.

Lajme

10/08/2020 21:33

Bytyçi në RTV Dukagjini ka thënë se Ligji për mbrojtjen e vlerave të luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK) nuk ia cenon askujt lirinë e shprehjes.

“Ne kemi nevojë ta normojmë edhe pjesë të luftës”, tha ai, përcjell Telegrafi.

Deputeti i PDK-së thotë se ligji në fjalë nuk lidhet me Gjykatën Speciale dhe sipas tij e gjitha është e rastësishme.

“Është frikë e ambasadorëve po ligji është nisur më herët se proceset që lidhen me Gjykatën Speciale”.

Bytyqi thotë se PDK-ja është e hapur për çfarëdo vërejtje për Ligjin për mbrojtjen e vlerave të luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK).

“Ta bëjmë ligjin sa më të mirë të mundshëm pasi po flasim për luftën. Më së paku dëshirojmë që ky ligj të interpretohet sikur po dëshirojmë t’i ndajmë “tradhtarët dhe heronjtë” e luftës”, tha ndër të tjerash Gazmend Bytyçi që është edhe iniciues i projektligjit në fjalë.

“Qëllimi i ligjit nuk ka të bëjë me personat por me procesin”, shtoi tutje Bytyçi.