Buxhovi: LDK subjekt i arkivave e muzeve

“Nga lëvizja për shtetndërtim, në parti pa vizion për të ardhmen”, është përkufizimi që historiani dhe njëri nga themeluesit e LDK-së, Jusuf Buxhovi, ka dhënë për Lidhjen Demokratike të Kosovës.

Lajme

22/12/2014 15:01

Buxhovi duke treguar për synimet dhe misionet e para të LDK-së, shtron pyetjen se çfarë mbeti sot, 25 vjet më vonë, nga projekti i madh shtetndërtues i saj.

Ai thotë se kjo parti ka lënë pa përfunduar dy pikëpamje. Atë historike, si lëvizje kombëtare që përfundon me ndërhyrjen e forcave të NATO-s në Kosovë të vitit 1999. Dhe, atë të një partie politike në rrethanat e protektoratit ndërkombëtar e deri më sot, që përcillet me dukuri pothuajse si të të gjitha partive të tranzicionit, degradimit gradual dhe largimit nga vizioni fillestar që ishte projekti i një shteti modern perëndimor.

Ndër të tjera, Buxhovi thotë se LDK e ka mbaruar misionin e vet historik dhe, tashmë po bëhet subjekt që duhet t’i takojë arkivave dhe muzeve.

Lexoni më poshtë disa nga opinionet e Buxhovit lidhur me nivelin dhe pozitën e LDK-së 25 vjet pas:

“LDK sot është një parti si të gjitha ato subjekte që e kanë një mision historik dhe që e lënë të pa përmbyllur atë: e kapluar nga amnezioni i misionit të saj fillestar!

LDK nga një parti-lëvizje, duke u përpjekur të përshtatet një konteksti të ri historik, kaloi në margjina të procesit historik, duke harruar vizionin e saj për shtetin.

Ajo sot ka mbetur një parti që përbehet nga grupacione të ndryshme të interesit, të cilët kanë harruar apo edhe tjetërsuar fundamentin e saj moral, përgjegjësinë ndaj brezave dhe ndaj historisë.

Në këtë gjendje arriti përmes një luftë të brendshme, gjatë së cilës ndodhi edhe pastrimi i partisë nga idealistët, që ishin promotor i zbatimit të filozofisë së saj politike dhe të zëvendësimit të tyre me profiterë, servilë dhe ndërmjetësues në pazaret me partitë e tjera.

Aq më keq që ajo sot në radhët e veta nuk e ka asnjë prej themeluesve të saj.

Si e tillë LDK sot është shndërruar në një parti vasale e rivalëve dikur të ashpër dhe pa principe, të cilët e luftuan që nga fillimi, së brendshmi dhe së jashtmi, duke ia minuar principet e saj prijetare, që ishin ato të demokracisë perëndimore.

LDK sot është një parti pa parime, pa vizion, pa strategji për dalje nga kriza e thellë, e cila e ka kapluar sot këtë vend, parti që vendnumëron e kënaqur në një proces të mëtejmë të dezintegrimit të brendshëm.

LDK sot gjendet para dilemës: të vazhdojë në procesin e margjinalizimit të mëtejmë apo të hapët për reformim parimor, gjithsesi të dhembshëm por ripërtëritës për këtë parti.

Por, reformimi i Partisë nuk mund të merret me mend me kuadrin e tashëm që e ka uzurpuar.

Andaj, është obligim moral i strukturave drejtuese që të tërhiqen nga procesi reformues dhe të fillohet me rithemelimin e partisë përmes këshillave iniciative të padirigjuar nga individë dhe grupacione të interesit.

Një proces i reformimit të kësaj natyre dhe demonopolizimi i partisë në këtë gjendje të erozionit moral të kësaj shoqërie duket se është një mision i pamundshëm.

Është e vështirë për tu besuar, por duket një realitet i pamohueshëm se LDK e ka mbaruar misionin e vet historik dhe se ajo tashmë po bëhet një subjekt që duhet t’i takojë arkivave dhe muzeve”, shkroi Buxhovi.