Buxheti për viktimat e dhunës seksuale, i pamjaftueshëm

Pavarësisht një ligji, me të cilin do të duhej të përfitonin kategori të caktuara në shoqëri, përfshirë edhe viktimat e dhunës seksuale gjatë luftës, një buxhet i paraparë për këto kategori të shoqërisë, thuhet se është tejet i vogël për të përmbushur nevojat e tyre.

Lajme

25/06/2016 12:12

Megjithëse janë ndarë 25 milionë euro në përputhje me Ligjin për të rënët, invalidët, luftëtarët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, ku përfshihen edhe viktimat e dhunës seksuale gjatë luftës, ato nuk u janë shpërndarë ende përfituesve për shkak të moskrijimit të një Komisioni Qeveritar.

Zyrtarë të Ministrisë së Financave në Qeverinë e Kosovë thonë për rubrikën “Fokus” të Radios Evropa e Lirë, se nga buxheti i Kosovës janë ndarë mjetet për viktimat e dhunës seksuale gjatë luftës, mirëpo po presin një vendim të Qeverisë për themelimin e mekanizmit qeveritar.

“Janë 25 milionë euro mjete të ndara për Ligjin për të rënët, invalidët, luftëtarët e UÇK-së dhe viktimat dhunës seksuale të luftës. Pra, viktimat e dhunës seksuale gjatë luftës, janë të përfshirë në këtë fond, mjete këto që nuk kanë filluar të ndahen. Problemi qëndron aty se këto mjete nuk mjaftojnë as për veteranët”, thotë zëvendësministri i Financave në Qeverinë e Kosovës, Agim Krasniqi.

Ka afro dy vjet që kur Ligj për të rënët, invalidët, luftëtarët e UÇK-së dhe viktimat dhunës seksuale të luftës, u miratua në Kuvendin e Kosovës.

Ligji, për herë të parë pas 15 vjetësh, njohu statusin e viktimave të dhunës seksuale gjatë Luftës në Kosovë, por i njëjti është dashur të përcillet edhe me hapin konkret për krijimin e Komisionit Qeveritar që do të përkujdesej për këtë kategori.

Zyrtarë të Qeverisë thonë se procedurat e shpalljes së konkursit për anëtarët e Komisionit qeveritar janë hapur dhe pritet që ai të funksionalizohet së shpejti.

Sokol Havolli, shef i kabinetit në zyrën e kryeministrit të Kosovës, Isa Mustafa, thotë për Radion Evropa e Lirë se sekretariati teknik që merret me këtë çështje, është themeluar në kuadër të Qeverisë dhe ka një funksion deri në kryerjen e procedurave të konkursit për Komisionin.

“Aktualisht, mund të konfirmoj se rregullorja për Komisionin për njohjen dhe verifikimin e statusit të personave të dhunuar gjatë luftës në Kosovë është miratuar në Qeveri, dhe tani jemi në procedura të hapjes së konkursit për anëtarët e këtij komisioni”, bën të ditur Havolli.

Çështja e viktimave të dhunës seksuale gjatë luftës u riaktualizua në kohën e presidentes Atifete Jahjaga, e cila për të ndihmuar këtë kategori të shoqërisë, krijoi Këshillin Kombëtar, mekanizëm ky që edhe e udhëhoqi.

Ish-presidentja e Kosovës, Atifete Jahjaga, në një prononcim për Radion Evropa e Lirë thekson se institucionet e Kosovës dhe shoqëria, në përgjithësi, kanë për obligim t’i rehabilitojmë të mbijetuarit.

“Janë bërë përpjekje serioze për t’i krijuar kushtet që të mbijetuarit të rehabilitohen dhe ri-integrohen, fillimisht me luftimin e stigmës shoqërore që është asociuar me këto viktima të dhunës nga lufta dhe pastaj me njohjen e statusit të tyre ligjor, që u mundëson atyre qasjen në drejtësi dhe asistencë sociale, si rrugë e vetme për t’ua kthyer dinjitetin dhe vendin e merituar në shoqëri”.

“Për mua, secili rrëfim i të mbijetuarve të dhunës seksuale, secila vuajtje e tyre, është personale. I kam takuar dhe vazhdoj t’i takoj. Flas dhe e ngre zërin për to në secilin takim, brenda dhe jashtë Kosovës, kërkoj drejtësinë dhe njohjen që ua kanë mohuar”, thekson ish-presidentja Jahjaga.

Në fundjavë në Prishtinë është organizuar një protestë mbështetëse e organizatave joqeveritare për viktimat e dhunës seksuale gjatë luftës, me të cilën është kërkuar që të përshpejtohen të gjitha proceset për këtë kategori të shoqërisë në Kosovë.

Përfaqësues të shoqërisë civile që janë marrë me trajtimin e këtyre personave, thonë se viktimat e dhunës seksuale gjatë luftës në Kosovë, janë të zhgënjyera nga institucionet e vendit, të cilat nuk kanë arritur të themelojnë një Komision qeveritar.

Drejtoresha ekzekutive e Organizatës Joqeveritare “Medika” në Gjakovë, Mirlinda Sada, thotë për Radion Evropa e Lirë, se viktimat e dhunës seksuale janë të dëshpëruara nga i gjithë ky jo seriozitet i institucioneve.

“Me shumë vështirësi dhe me shumë përpjekje, kemi arritur që një numër të vogël të grave t’i bindim që të aplikojnë për njohjen e statusit të viktimës së dhunës seksuale. Për shkak të stigmës që ekziston në shoqërinë tonë, ne e kemi pasur vështirë t’i bindim ato. Dhe tani, pas gjithë këtyre përpjekjeve të dalim me një joseriozitet të tillë, është e vështirë për viktimat. Po fillon të shkatërrohet besimi i këtyre viktimave të dhunës seksuale të luftës”, thekson Sada.

Për zhgënjimin nga institucionet e Kosovës të viktimave të dhunës seksuale gjatë luftës flet edhe Feride Rushiti, drejtoreshë ekzekutive e Qendrës Kosovare për Rehabilitimin e të Mbijetuarve të Torturës.

Rushiti thotë për Radion Evropa e Lirë se ka munguar gatishmëria politike e institucioneve të Kosovës për të zbatuar njohjen ligjore të viktimave të dhunës seksuale gjatë luftës.

“Shtyrjet që po bëhen, përveç faktit që komisioni është folur dhe përfolur që do të krijohet shumë më herët, po ndikon negativisht në familje dhe te vetë viktimat, për faktin se po e shohin joseriozitetin e institucioneve të Kosovës ndaj këtij grupi të ndjeshëm shoqëror”, shprehet Rushiti.

Legjislacioni ku përfshihen viktimat e dhunës seksuale gjatë luftës në Kosovë ka për qëllim rregullimin ligjor të statusit të viktimave, të cilat i kanë mbijetuar abuzimit seksual dhe dhunimit gjatë periudhës së 27 shkurtit 1998 e deri më 20 qershor të vitit 1999.

Sipas ligjit, del se pensionet për personat e dhunuar gjatë luftës të jenë 300 euro, ndërsa këtë shumë besohet se mund ta përfitojnë 20 mijë viktima të abuzuara.