Buxheti, paga minimale- rritja e pensioneve; Të gjitha vendimet që mori sot Qeveria në detyrë

Qeveria e Kosovës ka miratuar sot buxhetin për vitin 2026. Kryeministri në detyrë, Albin Kurti deklaroi se ky buxhet arrin në 4 miliardë euro dhe se punonjësve të sektorit publik do t’u jepen edhe rrogat e 13-ta e do rriten pensionet. Qeveria në detyrë e Kosovës ka zhvilluar sot  mbledhje meqë rast mori këto vendime:…

Lajme

31/10/2025 13:32

Qeveria e Kosovës ka miratuar sot buxhetin për vitin 2026.

Kryeministri në detyrë, Albin Kurti deklaroi se ky buxhet arrin në 4 miliardë euro dhe se punonjësve të sektorit publik do t’u jepen edhe rrogat e 13-ta e do rriten pensionet.

Qeveria në detyrë e Kosovës ka zhvilluar sot  mbledhje meqë rast mori këto vendime:

•          Miratuar Projektligjin mbi Ndarjet Buxhetore për Buxhetin e Republikës së Kosovës për vitin 2026, në vlerë prej rreth 4 miliardë euro apo 3 miliardë e 967 milionë e 600 mijë euro.

•          Miratuar vendimin përfundimtar për shpronësim për interes publik të pronave të paluajtshme ish-shoqërore për nevoja të Institucioneve Qendrore të Sigurisë së Republikës së Kosovës, Atmaxhë – Komuna Prizren dhe Banjë – Komuna Malishevë. Me miratimin e këtij Vendimi Përfundimtar për shpronësim, përfundon procedura e shpronësimit dhe krijohet mundësia për realizimin e projektit për nevoja të Institucioneve Qendrore të Sigurisë së Republikës së Kosovës.

•          Miratuar kërkesën e komunave Prishtinë, Gjilan dhe Zubin-Potok për aprovimin e Buxhetit, pas miratimit të Buxhetit për vitin 2025 nga kuvendet komunale.

•          Miratuar rregulloren mbi Kriteret, Standardet dhe Procedurat e Mbështetjes Publike Financiare për Skenën e Pavarur Kulturore. Ky akt nënligjor rrjedh nga Ligji mbi Artin dhe Kulturën. Kjo rregullore parasheh riorganizimin e mënyrës së mbështetjes për Skenën e Pavarur Kulturore. Janë adresuar nevojat dhe kërkesat të cilat kanë ndryshuar me kohën dhe legjislacioni në fuqi nuk ka arritur t’i plotësojë më tutje. Ky model më i thjeshtuar burokratik për aplikim në fonde publike, lehtëson mbështetjen e institucioneve për skenën e pavarur kulturore.

•          Miratuar kërkesën e Ministrisë së Financave, Punës dhe Transfereve për kursime dhe ndarje.

•          Ndarë mjete buxhetore në shumë prej 40 mijë euro për meremetimin e kulmit të Kullës III në Rrugën “Ali Vitia”- Emshir Prishtinë, pas dëmtimit nga zjarri.

•          Miratuar rritjen e shumës së përfitimit të skemave pensionale të financuara nga shteti duke filluar nga muaji nëntor 2025:

1.1 Pensionet bazike — sociale: nga shuma aktuale prej 120 euro në shumën prej 150 euro;
1.2. Skema e fëmijëve me aftësi të kufizuar 1-18: nga shuma aktuale prej 120 euro në shumën prej 150euro;

1.3. Pensionet e aftësisë së kufizuar: nga shuma aktuale prej 120 euro në shumën prej 150 euro;
1.4. Pensioni familjar: nga shuma aktuale prej 120 euro në shumën prej 150 euro;
1.5. Pensioni invalidor i punës: nga shuma aktuale prej 120 euro në shumën prej 150 euro;

•          Ndarë mjete buxhetore në shumë prej dhjetë milionë euro (10,000,000.00), me qëllim rritjen e vlerës së Shtesave për Fëmijë për pesëdhjetë për qind (50 %) mbi vlerën aktuale, duke filluar nga muaji nëntor 2025.

•          Miratuar Pagën e re Minimale në Republikën e Kosovës, nga 350 euro në 500 euro. Rritja do të bëhet në dy faza. Faza e parë nis nga data 1 janar 2026, kur paga minimale do të jetë 425 euro në muaj për orar të plotë. Faza e dytë fillon nga data 1 korrik 2026, kur paga minimale do jetë 500 euro në muaj për punë me orar të plotë.

•          Miratuar nismën e Ministrisë së Financave, Punës dhe Transfereve për negocimin e Marrëveshjes së Grantit për Shërbime Ekspertësh në Sektorin e Energjisë dhe Klimës për Kosovën, në mes të Republikës së Kosovës, e përfaqësuar nga Ministria e Financave, Punës dhe Transfereve, dhe KfW, Frankfurt am Main./Lajmi.net/