Burri vdiq pasi ra në pusetë- Deklarohet Prokuroria pasi “faji” bartet herë tek Komuna e Prishtinës e herë tek Ministria

Një burrë ka vdekur dje në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës, ku ishte duke u trajtuar që nga data 9 gusht. Ai kishte marrë lëndime pasi kishte rënë në një pusetë të hapur në Prishtinë.. E ky rast i rëndë që ndodhi në Prishtinë nxiti debatet në mes Lëvizjes Vetëvendosje dhe LDK-së. Vetëvendosje ka akuzuar…

Lajme

22/08/2024 15:01

Një burrë ka vdekur dje në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës, ku ishte duke u trajtuar që nga data 9 gusht.

Ai kishte marrë lëndime pasi kishte rënë në një pusetë të hapur në Prishtinë..

E ky rast i rëndë që ndodhi në Prishtinë nxiti debatet në mes Lëvizjes Vetëvendosje dhe LDK-së.

Vetëvendosje ka akuzuar komunën e drejtuar nga Përparim Rama se po e rrezikon jetën e qytetarëve në çdo moment.

Në një formë ai e fajësoi komunën për pusetat e hapura, në të cilat jo në pak raste po bien qytetarët.

“Ndërkohë që promovohen kontrata 18 milionëshe për shesh, 12 milionë për vizatime të arkitektëve, miliona për digjitalizime të parkingjeve, e shumë të tjera – neve na vdesin njerëzit në puseta. Është e tmerrshme me ndodh kjo në vitin 2024 në kryeqytet. Kaq vlenë jeta e njeriut në Prishtinë. Të rrezikuar në çdo hap, në çdo moment, qoftë nga kulmet që fluturojnë, nga lisat që rrëzohen nga era apo nga pusetat e hapura. Ngushëllime familjarëve e hetim dhe përgjegjësi për rastin”, ka thënë Gëzim Svecla nga Vetëvendosje.

Por kundër kësaj akuze dolën nga Komuna e Prishtinës. Në një reagim publik të bërë nga Komuna u tha se i moshuari ka rënë në një puset që është e hapur përgjatë punimeve në magjistralen Prishtinë-Podujevë, punime këto të cilat menaxhohen nga Ministria e Infrastrukturës, e që sipas tyre komuna s’ka faj pse ajo pusetë ishte hapur.

“Më datën 09 gusht 2024, një i moshuar ka rënë në një pusetë të hapur përgjatë rrugës magjistrale Prishtinë – Podujevë. Si pasojë, personi në fjalë ka ndërruar jetë me 19 gusht. I shprehim ngushëllimet më të sinqerta familjes së të ndjerit. Dëshirojmë të sqarojmë për publikun se është konstatuar nga ekipet tona dhe konfirmuar nga Policia e Kosovës, se puseta në të cilën ka rënë i ndjeri është në rrugën magjistrale Prishtinë – Podujevë”, thuhet në reagimin e komunës.

Ata kanë akuzuar përfaqësuesit e VV-së në Komunë se po japin deklarata të pavërteta, pasi pjesa e pusetës ku ka rënë i ndjeri, sipas komunës është duke u menaxhuar nga Qeveria për shkak të punimeve.

“Kjo rrugë magjistrale nuk është në kompetencë të Kryeqytetit, por në kompetencë të Qeverisë së Republikës së Kosovës dhe pjesë e punimeve të menaxhuara nga Qeveria. Janë për keqardhje deklaratat e pavërteta nga përfaqësues të Lëvizjes Vetëvendosje të cilët këtë fatkeqësi të rëndë tentojnë t’a politizojnë dhe përmes shpifjeve tentojnë t’ia hedhin fajin organeve të Kryeqytetit”, thuhet tutje në reagim.

Në lidhje me këtë çështje, Lajmi.net ka kontaktuar me Prokurorinë Themelore në Prishtinë.

Nga Prokuroria kanë thënë se në ditën kur është raportuar rasti Prokurori i Shtetit ka iniciuar hetime në drejtim të veprës penale “Asgjësimi, dëmtimi ose heqja e pajisjeve mbrojtëse dhe rrezikimi i sigurisë në vendin e punës”.

Ndër të tjera nga Prokuroria kanë thënë se pasi viktima ka ndërruar jetë në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës (QKUK), është lëshuar urdhëresa për obduksion në IML.

“Ju njoftojmë se ditën kur është raportuar rasti në fjalë, Prokurori i Shtetit ka iniciuar hetime në drejtim të veprës penale “Asgjësimi, dëmtimi ose heqja e pajisjeve mbrojtëse dhe rrezikimi i sigurisë në vendin e punës”, sipas KPRK-së. Meqenëse viktima ka ndërruar jetë në QKUK, Prokuroria ka lëshuar urdhëresë për obduksion, në IML, ndërsa ndaj këtij rasti janë duke u ndërmarrë veprime hetimore në bashkëpunim me policinë“, kanë thënë nga Prokuroria Themelore në Prishtinë.

Nga Prokuroria në Prishtinë nuk është theksuar nëse janë informuar se përgjegjësi e kujt ishte në fakt puseta ku humbi jetën ky qytetarë.

Kurse nga Policia e Kosovës pas humbjes së jetës së qytetarit kanë deklaruar se rasti mbetet nën hetime.

“ASGJËSIM, DËMTIM APO HEQJE E PAJISJEVE MBROJTËSE- Prishtinë / 09.08.2024 – 21:30. Më 19.08.2024 në QKUK ka ndërruar jetë viktima mashkull kosovar i cili ishte duke u trajtuar në QKUK si pasojë e lëndimeve të pësuara pasi kishte rënë në një puset të hapur më 09.08.2024. Në konsultim me prokurorin është iniciuar rasti dhe mbetet në hetime.”, ka konfirmuar dje policia.

Problemi i pusetave të hapura anembanë vendit mbetet mjaftë shqetësuese/

Raste të shpeshta ku qytetarët bien në to ka vazhdimisht.

Hiç më larg se dy muaj më parë një vajzë pati rënë në një prej pusetave të hapura pikërisht para obeliskut të New-Born-it./Lajmi.net/