“Burim i pashtershëm”: Diaspora vitin e kaluar dërgoi 1.2 miliardë euro në Kosovë

Vitin e kaluar në Kosovë, diaspora i ka dërguar 1.2 miliardë euro apo 6 për qind më shumë se në vitin 2021. Sipas të dhënave të fundit të Bankës Qendrore të Kosovës (BQK), përveç dërgesave, diaspora ka kontribuar edhe në krijimin e vendeve të punës përmes hapjes së bizneseve. Sipas përllogaritjeve të BQK-së, përmes remitencave,…

Lajme

03/07/2023 16:35

Vitin e kaluar në Kosovë, diaspora i ka dërguar 1.2 miliardë euro apo 6 për qind më shumë se në vitin 2021.

Sipas të dhënave të fundit të Bankës Qendrore të Kosovës (BQK), përveç dërgesave, diaspora ka kontribuar edhe në krijimin e vendeve të punës përmes hapjes së bizneseve.

Sipas përllogaritjeve të BQK-së, përmes remitencave, investimet dhe turizmi, arritën vlerën prej 3.6 miliardë euro që korespodon me mbi 40 përqind të Bruto Produktit Vendor (BPV).

“Vetëm nё vitin 2022, diaspora ka dërguar 1.2 miliardë euro apo 6.0 pёrqind mё shumё krahasuar me vitin paraprak. Remitencat janë karakterizuar me rritje të qëndrueshme ndër vite dhe janë një burim i sigurt i të ardhurave për shumë familje kosovare; Investimeve: Diaspora investon në biznese në Kosovë, duke kontribuar në rritjen ekonomike dhe krijimin e vendeve të punës”, thuhet në raport.

Megjithatë, investimi në patundshmëri është forma kryesore e investimit të diasporës, dhe vetëm në vitin 2022, arriti vlerën prej 523.7 milionë euro.

Ndërsa në turizëm si rezultat i lidhjeve të ngushta familjare, si aspekt kulturor por edhe ekonomik, diaspora viziton Kosovën disa herë gjatë vitit, me fokus në tremujorin e tretë të çdo viti, duke kontribuar kështu në rritjen e industrisë së turizmit përmes shpenzimit të parave në hotele, restorante dhe biznese lokale.

Në vitin 2022, rritja e numrit tё vizitorëve nga diaspora u shoqërua me rritje të shpenzimeve të tyre në Kosovë, vlerë që arriti në rreth 1.9 miliardë euro; Pesha që ka diaspora në aktivitetin e gjeneruar në vend, vlerësuar përmes burimeve të rëndësishme të financimit të konsumit dhe investimeve si remitencat, investimet dhe turizmi, arriti vlerën prej 3.6 miliardё euro në vitin 2022, që korrespondon me 40.4 pёrqind të BPV-së.