Bulliqi për hidrocentralin në lumin Kaçandolli: Nuk është pëlqim i qytetarëve që ajo zonë të shkatërrohet

Kryetari i komunës së Podujevës, Shpejtim Bulliqi, ka folur lidhur me kundërshtinë e tij, ndaj projektit të ndërtimit të hidrocentralit në lumin Kaçandolli.

Lajme

04/03/2021 08:39

Bulliqi tha se në debatin e djeshëm të zhvilluar, ishte tërësisht i papërgatitur dhe i paorganizuar, ku ideja për ndërtimin e hidrocentralit, sipas tij vie për interesa personale të personave të caktuar.

”Një proces i cili kishte kaluar nëpër fazat e tij deri në këtë moment. Duke mos marrë një pëlqim paraprak nga ana e këtyre institucioneve, për të vazhduar punën në këtë drejtim”.

”Ftesa ishte individuale, e cenuar dhe me disa grupe të vogla të interesit, si rezultat i së cilës, qytetarët e asaj ane, më janë drejtuar me ankesat e tyre lidhur me këto veprime të njëanshme për ndërtimin e këtij hidrocentrali”.

”Ne konsultim me ta, një debat i paorganizuar fare, në formë formale që ishte kaluar vetëm sa për sy e faqe, atëherë interesimi i madh i banorëve, bëri që organizatorin ta gjejë në mënyrë tejet të papërgatitur që të mundësonte realizimin e atij debati publik”.

Bulliqi tregoi në Sytë 7 edhe për arsyet se pse një projekt i tillë nuk përkrahet nga komuna që ai drejton, por as dhe nga qytetarët, njofton Klan Kosova.

”Ne iu treguam se institucione komunale nuk përkrahim projekte të tilla”.

”Sepse një projekt i tillë nuk parashihet as me planin zhvillimor komunal të komunës sonë, as në të kaluarën në pasqyra të ndryshme hidroekonomike, që janë bërë në studime të ndryshme rreth çështjes së menaxhimit të ujërave në Kosovë. Prandaj nuk është pëlqimi i qytetarëve të asaj ane, që një natyrë e tillë që është e pastër, që projektet komunale që ajo zonë të kthehet në një zonë të rëndësishme turistike, të shkatërrohet për interese të kujtdo qofshin ato”.

”Prandaj një gjë e tillë fuqishëm u kundërshtua si nga ana e komunitetit, ashtu edhe nga ana komunale të komunës së Podujevës”.

”Të gjithë e dijmë se cilat janë problemet gjeokologjike. Ne dimë pak a shumë edhe kapacitetet ujore të asaj zone, duke qenë edhe si profesionist i asaj fushe, një gjë e tillë nuk mund të realizohet në mënyrë të njëanshme dhe në asnjë formë nuk planifikojmë të shkatërrojmë një mjedis gjeokologjik të pastër në atë zonë”.

”Besoj shumë që kjo do të jetë një sinjal për të gjithë ata që mendojnë se për interese të ngushta të kujt do qofshin ato, të krijojnë projekte të cilat janë në dëm të interesit të përgjithshëm, në dëm të mjedisit”.