Buleshkaj: Deklarimi i pasurisë është vetëm një pjesë e punës së Agjencisë për Parandalimin e Korrupsionit

Drejtori i Agjencisë për Parandalimin e Korrupsionit, Ylli Buleshkaj, ka thënë se institucioni që ai drejton ka kaluar nëpër disa ndryshime të emërtimit, me qëllim që të reflektojë më saktë mandatin e tij. Gjatë javës së Agjencisë për Parandalimin e Korrupsionit, Buleshkaj tha se fillimisht institucioni ishte themeluar si Agjencia Kosovare Kundër Korrupsionit, më pas…

Lajme

13/07/2026 18:43

Drejtori i Agjencisë për Parandalimin e Korrupsionit, Ylli Buleshkaj, ka thënë se institucioni që ai drejton ka kaluar nëpër disa ndryshime të emërtimit, me qëllim që të reflektojë më saktë mandatin e tij.

Gjatë javës së Agjencisë për Parandalimin e Korrupsionit, Buleshkaj tha se fillimisht institucioni ishte themeluar si Agjencia Kosovare Kundër Korrupsionit, më pas si Agjencia Kundër Korrupsionit, ndërsa në vitin 2022 mori emërtimin aktual.

“Agjencia ka pasur tri tituj historikisht. Fillimisht është themeluar si Agjencia Kosovare Kundër Korrupsionit, pastaj është bërë Agjencia Kundër Korrupsionit. Në fund, në vitin 2022 është bërë Agjencia për Parandalimin e Korrupsionit, duke reflektuar plotësisht mandatin si titull”, tha Buleshkaj.

Ai theksoi se shpesh Agjencia është keqkuptuar nga publiku si një institucion që kryen hetime të thelluara për raste të korrupsionit, ndërsa mandati i saj kryesor është parandalimi.

“Nganjëherë jemi keqkuptuar ose jemi parë nga publiku i gjerë si institucion që mund të kryejë veprimtarinë e luftimit të korrupsionit. Nuk është mandat shumë i thellë në procedurat e hetimit të aferave që mund të dërgojnë në korrupsion”, u shpreh ai.

Sipas Buleshkajt, transparenca është një nga mekanizmat kryesorë të Agjencisë për të parandaluar korrupsionin. Ai tha se publikimi i deklarimeve të pasurisë së zyrtarëve publikë dhe të hyrave të tyre kontribuon në rritjen e llogaridhënies.

“Agjencia ka disa mekanizma që kontribuojnë në parandalimin e korrupsionit. Transparenca është një prej faktorëve kryesorë që të ketë më pak korrupsion. Transparenca e kuletës së zyrtarit publik, duke filluar nga ata që kanë mandate vendimmarrëse dhe ushtrojnë pushtet publik, deri te pozitat më të larta, është një nga mënyrat për të kontrolluar llogaridhënien”, tha ai.

Buleshkaj ka bërë të ditur se deklarimi i pasurisë është vetëm një pjesë e punës së Agjencisë, ndërsa mandati i saj përfshin edhe parandalimin e konfliktit të interesit, trajtimin e rasteve të sinjalizimit, shqyrtimin e legjislacionit kundër korrupsionit, vlerësimin e sektorëve të ndryshëm dhe monitorimin e zbatimit të strategjisë kundër korrupsionit.

Ai tha se aktualisht është e nevojshme që qeveria e re ta ketë prioritet finalizimin e strategjisë kundër korrupsionit.

“Tashmë jemi në fazën që qeveria e re duhet të ketë si prioritet finalizimin e strategjisë. Në fakt, është kërkesë ligjore që e obligon qeverinë për të hartuar një strategji të tillë, ndërsa obligon Agjencinë aq sa mundet në aspektin teknik dhe profesional që të kontribuojë në hartimin e saj”, deklaroi Buleshkaj.

Sipas tij, përgjegjës për zbatimin e strategjisë janë institucionet përkatëse, ndërsa roli i Agjencisë është monitorimi dhe raportimi përpara Kuvendit të Kosovës.

“Për ta zbatuar është secili institucion që merr veprime, ndërsa Agjencia është përgjegjëse për të monitoruar zbatimin dhe për të raportuar në Kuvend, në mënyrë që të jemi të informuar me progresin e saj”, përfundoi Buleshkaj./dukagjini