​Bujqit ankohen për vonesën në subvencione, Peci jep detaje

Bujqit i kanë korrë e vjelë shumicën e prodhimeve bujqësore për këtë vit, por disa prej tyre ende nuk i kanë marrë subvencionet për mbështetje direkte nga Ministria e Bujqësisë. Disa fermerë ankohen se vonesa e subvencioneve po ua vështirëson punën në bujqësi. Ata shprehen se përkrahja nga shteti është e vonuar për këtë vit.…

Lajme

26/10/2024 10:04

Bujqit i kanë korrë e vjelë shumicën e prodhimeve bujqësore për këtë vit, por disa prej tyre ende nuk i kanë marrë subvencionet për mbështetje direkte nga Ministria e Bujqësisë. Disa fermerë ankohen se vonesa e subvencioneve po ua vështirëson punën në bujqësi.

Ata shprehen se përkrahja nga shteti është e vonuar për këtë vit. Të njëjtit kërkojnë nga Ministria e Bujqësisë të fillojnë sa më shpejtë procedurat për ekzekutimin e pagesave, derisa ka të tillë të cilët thonë se ende nuk janë vizituar fare nga komisioni për të verifikuar sipërfaqet e mbjella.

Në anën tjetër, edhe nga Shoqata e Prodhueseve të Qumështit të Kosovës kanë thënë se një numër i caktuar i fermerëve janë në pritje për t’iu dalë subvencionet. Ndërsa, për këtë, ministri i Bujqësisë, Faton Peci zotohet se mjetet do të ekzekutohen deri në fund të vitit fiskal.

Derisa vlerësojnë se subvencionet duhet të rriten në disa kultura bujqësore, fermerët kërkojnë nga Ministria e Bujqësisë të bëjë një analizë rreth kësaj rritje.

Fermeri Sali Abazi, i cili merret me blegtori e bujqësi për rreth 22 vite, ankohet për vonesën e subvencioneve. Ai thotë se këtë vit ka raste që ende nuk kanë dalë nga komisioni të bëjnë verifikimin e mbjelljeve të vitit të kaluar.

“Prej që kanë filluar subvencionet zakonisht ka pasur një ngecje në vonesë, këtë vit ka raste që ende nuk kanë dalë komisioni të bëjnë verifikimin e mbjelljeve të vitit të kaluar të vjeshtës, grurit dhe mbjelljeve vjeshtore, por, as të pranverës të misrit dhe kulturave tjera që mbjellën në pranverë. Ne kemi aplikuar me sa mbaj mend, në mars dhe prill ka qenë afati rreth 45 ditë për të aplikuar, për krerë qumështit që paguhen prej ministrisë rreth 90 euro, edhe për subvencionimin e grurit dhe të misrit. Ne të gjitha kulturat në korrik e kemi fshirë grurin dhe misrin, i kemi livruar të njëjtat parcela, i kemi mbjellë sërish sërish me grurë, megjithatë ende nuk kemi komision për të verifikuar, ose me ndonjë mesazh, që në të kaluarën na ka njoftuar ministria që është pranuar kërkesa jonë për aplikimin e subvencioneve. Ka shkuar pak gjatë, por, shpresojmë që është ndonjë gabim, defekt teknik i tyre, dhe shpresojmë që shpejtë do të vinë t’i verifikojnë ose të paktën të gjejnë mënyrën e pagesave për subvencioneve… Ka pasur edhe më herët ndonjë vonesë, por jo kaq të theksuar, kaq vonë, me sa mbaj mend unë”, thotë Abazi.

Edhe fermerja Sadete Gecaj, e cila merret me bletari thotë se janë në pritje të subvencioneve për bletarinë organike, pasi siç thotë ajo, për korverciale janë ekzekutuar.

Ajo thotë se Ministria e Bujqësisë duhet të shoh mundësinë që t’i rris subvencionet për bletarinë organike, pasi thekson se janë të ulëta

“Ne merremi me bletari më shumë se 11 vite. Që pesë vite merremi me bletari organike, jemi të certifikuar prej bioinspektes. 25 euro i marrim subvencionet për koshere të bletëve organike, 20 euro i marrim për kovercionale. Për bletari korvercionale janë dalë subvencionet, ndërsa për organike ende jo… janë kryer procedurat dhe jemi në pritje…për bletari organike janë shumë të vogla, sepse e ka koston shumë të lartë”, thotë Gecaj.

Për këtë, ministri i Bujqësisë, Faton Peci zotohet se deri në fund të vitit fiskal do të dalin subvencionet. Ai shton se gjithë buxheti, ashtu siç dëshirojnë disa fermerë që brenda gjashtëmujorit të parë t’i marrin subvencionet, objektivisht nuk mund të realizohet.

“Rrjedhimisht subvencionet që i dedikohen fermerit janë brenda vitit fiskal, a e kemi kaluar vitin fiskal…Mjetet dalin pasi që suksesivisht të realizohen kontrolle dhe rend. Mandej, ka afate kohore, nëse flasim për kulturën e grurit, ata e kanë pas deri në shtator afatin për dorëzimin e sasisë së grurit për kilogram. Kështu, janë proceduar faza e subvencionimit për sipërfaqe për një pjesë të plehërimit dhe të naftës, por nuk është procesuar çështja e kilogramëve të grurit. Mandej, krejt buxheti ashtu siç dëshirojnë disa fermerë që brenda në gjashtëmujorin e parë t’i marrin subvencionet objektivisht, ajo nuk mund të realizohet në aspektin e menaxhimit financiar për shkak se ka cash flow, çdo muaj mbushet buxheti i Kosovës, dhe rrjedhimisht edhe buxheti i ministrive të linjës. Në pjesën e dytë të dhjetorit, atëherë në rast se ka vonesa mund të flasin për vonesa në pagesën e subvencioneve. Deri tash ka një dinamikë, janë mbi 30 milionë euro të procesuara vetëm në kategorinë e subvencioneve. E disa prej fermerëve janë në fazën e realizimit të pagesave, por njëkohësisht edhe në fazën e kontrolleve në terren”, thotë Peci.

Ministri Peci shton se çdo indikator është pozitiv në sektorin e bujqësisë, pavarësisht sfidave që ka potencuar, një ndër to edhe siç thotë ai “qeverisja e keqe e Avdullah Hotit”.

 

“Ne vetëm vitin e kaluar i kemi parandaluar mundësinë e abuzimit të 2.5 milionë euro nga tendenca e disave për të aplikuar me sipërfaqe më të mëdha se që është sipërfaqja aktuale. Kështu, për gjithë fermerët mesazhi im është i qartë, pagesat që do të realizohen janë brenda vitit fiskal dhe kur të përfundon viti fiskal atëherë mund të flasim eventualisht për vonesa ose borxhet e fermerëve. Por, ne jemi qeveria e parë që në vitin 2022 dhe 2023 nuk ju kemi mbet asnjë cent fermerëve për gjithë punën e angazhimeve që kanë pas në kategorinë e subvencioneve, e rrjedhimisht nuk do të ketë as në vitin 2024, ndërsa e kemi gjet ministrinë me 41 milionë euro borxh… Çdo indikator është pozitiv në sektorin e bujqësisë dhe duke përfshirë edhe rritjen e fermerëve, përkundër se qeverisja jonë ka qenë më sfiduesja për shkak se agresioni i Rusisë ka rrit deri në 300 për qind imputet bujqësore, mandej inflacioni i importuar nga Eurozona por edhe pjesët e tjera, mandej kriza energjetike edhe qeverisja e keqe e Avdullah Hotit që na ka lënë 41 milionë euro barrë”, shton Peci.

Në anën tjetër edhe nga Shoqata e Prodhueseve të Qumështit të Kosovës, thonë se një numër i caktuar i fermerëve janë në pritje të subvencioneve.

“Sipas informacioneve nga terreni ne si shoqatë ju informojmë se disa fermerëve kanë filluar t’u ekzekutohen pagesat, ndërsa një numër i caktuar i fermerëve janë në pritje”, thonë në një përgjigje me shkrim nga Shoqata e Prodhueseve të Qumështit të Kosovës.