Bugaqku: Projektligji për konfiskimin e pasurisë u rikthye pa transparencë pas rrëzimit nga Kushtetuesja

Vullnet Bugaqku nga KDI ka reaguar lidhur me procesin e rishqyrtimit të projektligjit për konfiskimin e pasurisë, duke ngritur shqetësime serioze për mungesë transparence dhe përfshirjeje publike. Ai ka theksuar se, pas rrëzimit të këtij projektligji nga Gjykata Kushtetuese, institucionet do të duhej të hapnin një proces të gjerë konsultimi publik, në përputhje me standardet…

Lajme

30/03/2026 20:26

Vullnet Bugaqku nga KDI ka reaguar lidhur me procesin e rishqyrtimit të projektligjit për konfiskimin e pasurisë, duke ngritur shqetësime serioze për mungesë transparence dhe përfshirjeje publike.

Ai ka theksuar se, pas rrëzimit të këtij projektligji nga Gjykata Kushtetuese, institucionet do të duhej të hapnin një proces të gjerë konsultimi publik, në përputhje me standardet demokratike dhe parimin e transparencës.

“Do të duhej të ftonte akterët përkatës, shoqërinë civile dhe organizatat ndërkombëtare që edhe ne t’i paraqesim pikëpamjet, vërejtjet ose rekomandimet tona sa i përket këtij projektligji”, ka deklaruar Bugaqku.

Ai ka rikujtuar gjithashtu mënyrën se si ky projektligj ishte miratuar fillimisht, duke e cilësuar procesin si të nxituar dhe në kundërshtim me procedurat ligjore.

“Diku 7 minuta i ka marrë kohë miratimi i këtij projektligji”, ka thënë ai, duke nënvizuar se një qasje e tillë cenon seriozisht standardet e vendimmarrjes.

Sipas tij, edhe versioni aktual i projektligjit mbetet i paqartë për publikun dhe aktorët relevantë, pasi procesi i rishikimit është zhvilluar në mënyrë të mbyllur.

“Tani projektligji në përmbajtje nuk e dimë se çfarë është. Nëse është plotësuar diçka, është plotësuar tërësisht në mënyrë hermetike, të mbyllur, sepse s’kemi pasur as informacion, as qasje, as dijeni si janë adresuar vërejtjet e tilla”, ka shtuar ai.

Deklaratat e Bugaqkës vijnë në një kohë kur pritet që ky projektligj të rikthehet në procedurë, duke ngritur pikëpyetje mbi transparencën dhe përputhshmërinë e tij me standardet kushtetuese dhe demokratike.