Bugaqku: Nuk mund të përdoret Gjykata Kushtetuese për të arsyetuar papërgjegjshmërinë politike
Vullnet Bugaqku nga KDI, ka folur lidhur me moskonstituimin e Kuvendit të Kosovës, as pas tentimit të 51-të. Ai ka thënë se KDI ka bërë një reagim publik ku kanë theksuar rëndësinë e respektimit të Kushtetutës së vendit, përfshirë edhe respektimin e afatit 30-ditor të Aktvendimit të Gjykatës Kushtetuese. “Normalisht, ne e pamë që kërkesa…

Lajme
Vullnet Bugaqku nga KDI, ka folur lidhur me moskonstituimin e Kuvendit të Kosovës, as pas tentimit të 51-të.
Ai ka thënë se KDI ka bërë një reagim publik ku kanë theksuar rëndësinë e respektimit të Kushtetutës së vendit, përfshirë edhe respektimin e afatit 30-ditor të Aktvendimit të Gjykatës Kushtetuese.
“Normalisht, ne e pamë që kërkesa e Presidencës për të sqaruar këtë aspektin e konfliktit të kompetencave ngre disa dilema, për mendimin tonë – së pari. Dhe së dyti, kërkesa për masë të përkohshme në këtë situatë, e vlerësojmë si një kërkesë paksa të çuditshme, edhe për faktin që jemi së paku tre ditë para se të përfundojë ky afat kushtetues për konstituimin e Kuvendit. Madje, ne vlerësojmë që kjo kërkesë do të duhej së paku të paraqitej një javë më parë ose gjatë dy-tre ditëve pasi Gjykata Kushtetuese vlerësoi që ka një afat 30-ditor brenda të cilit deputetët duhet ta konstituojnë Kuvendin”, ka thënë ai.
Bugaqku tutje ka thënë se kërkesa e Presidentes është shumë e vonshme.
“Megjithatë, ne i kemi vlerësuar përpjekjet e Presidencës që brenda suazave të kompetencave që ka, si përfaqësuese e unitetit të popullit dhe si garantuese e funksionimit demokratik të institucioneve, të bëjë përpjekje për t’i takuar liderët e grupeve parlamentare dhe të arrijë një konsensus ose një kompromis për zgjidhjen e ngërçit politik”, është shprehur ai në dukagjin.
“Por, prapëseprapë, ne vlerësojmë se nuk mund të përdoret Gjykata Kushtetuese për të arsyetuar papërgjegjshmërinë politike të deputetëve, grupeve parlamentare dhe partive politike”, ka thënë ai.