Bugaqku nga KDI: Pse pikërisht tani Presidentja vendosi të denigrojë integritetin e gjyqtarit Laban?

Vullnet Bugaqku nga Instituti Demokratik i Kosovës ka reaguar pas vendimit të Presidentes Vjosa Osmani për të tërhequr kërkesën e dorëzuar në Gjykatën Kushtetuese, duke paralajmëruar pasoja serioze për funksionimin e këtij institucioni. Bugaqku tha se në rast se gjyqtari Radomir Laban, i përmendur nga Presidentja si rrezik për sigurinë kombëtare, jep dorëheqje ose shkarkohet,…

Lajme

05/08/2025 19:37

Vullnet Bugaqku nga Instituti Demokratik i Kosovës ka reaguar pas vendimit të Presidentes Vjosa Osmani për të tërhequr kërkesën e dorëzuar në Gjykatën Kushtetuese, duke paralajmëruar pasoja serioze për funksionimin e këtij institucioni.

Bugaqku tha se në rast se gjyqtari Radomir Laban, i përmendur nga Presidentja si rrezik për sigurinë kombëtare, jep dorëheqje ose shkarkohet, Gjykata Kushtetuese do të mbetej me vetëm gjashtë gjyqtarë aktivë.

“Në rast se gjyqtari Radomir Laban sot jep dorëheqje ose shkarkohet nga funksioni, Gjykata Kushtetuese do të mbetej me vetëm gjashtë gjyqtarë aktivë.

Një largim i tillë, në këtë fazë, do të sillte bllokim të funksionimit dhe ushtrimit normal të punës së Gjykatës Kushtetuese.” – tha ai.

Bugaqku paralajmëroi se çdo largim eventual i gjyqtarit Laban do ta bënte të pamundur vendimmarrjen për të gjitha çështjet e mbetura.

“Aktualisht, kjo gjykatë ka shtatë gjyqtarë aktivë dhe çdo largim eventual i gjyqtarit Laban do ta bënte të pamundur vendimmarrjen për të gjitha çështjet e mbetura.

Kjo, për shkak se, sipas Kushtetutës së Republikës së Kosovës dhe Ligjit për Gjykatën Kushtetuese, kuorumi arrihet vetëm kur janë të pranishëm së paku shtatë nga nëntë gjyqtarët që e përbëjnë këtë gjykatë.

Në këtë rrethanë shtrohet pyetja: pse pikërisht tani Presidentja vendosi të denigrojë integritetin e tij?

A është qëllimi të krijohet një bllokadë edhe në Gjykatën Kushtetuese, me synimin për të pamundësuar çdo shqyrtim kushtetues të veprimeve të Qeverisë në detyrë dhe të vetë Presidentes?”