Bufeja e ATK-së në Mitrovicë nuk lëshon kupona fiskal

ATK-ja vazhdimit ka bërë thirrje që mos të paguhen mallrat e shërbimet nëse nuk iu ofrohet konsumatorëve kuponi fiskal, por brenda vet  objektit të Administratës Tatimore në Mitrovicë funksionon një bufe si biznes e që nuk është regjistruar si biznes.

Lajme

13/06/2019 20:26

Madje personat që marrin shërbime aty nuk marrin  kupon fiskal pavarësisht se çmimet janë si në kafenetë e qytetit.

Drejtori i degës së ATK-së në Mitrovicë, Besim Halili, brenda së cilës është edhe bufeja, nuk pranoi që të deklarohet për RTV Dukagjinin, por urdhëroi  policinë të mos lejohet ekipi i televizionit  brenda objektit.

Ilir Murtezaj, drejtor i Administratës Tatimore të Kosovës, nuk ishte i informuar se ky biznes është duke ushtruar aktivitet brenda institucionit.

“Kjo nuk është në rregull, përveçse nëse ai lokal është me vetëfinancim të punëtorëve…Nëse ka çmimore ai është biznes dhe duhet të ketë arkë fiskale”, thotë për emisionin “Zyra e Ankesave” në RTV Dukagjini, Ilir Murtezaj.

E që bufeja e ATK-së është biznes e dëshmon edhe çmimorja e vendosur ku çmimet janë pothuajse të njëjta me ato në kafenetë e qytetit të Mitrovicës.

Me ligjin e ATK-së për biznese, nëse veprohet në mënyrë ilegale personat mund të dënohen.

“Të gjitha bizneset e përfshira në aktivitete ekomomike të cilave ju kërkohet të instalojnë pajisjet elektronike fiskale për regjistrimin e transaksioneve që lidhen me aktivitetin e tyre ekonomik duhet t’i lëshojnë kupon klientit që i përmbahet specifikimeve teknike të kuponëve siç është e përshkruar në udhëzimet e aplikueshme administrative. Çdo biznes që nuk lëshon kupon fiskal do të dënohet me gjobë si dhe është I liruar nga pagesa personi që nuk pajiset me kupon fiskal, dënimi për mos lëshim të kuponit shkon nga 125 deri në 1000 euro”, thuhet ne ligjin e ATK-së për biznes.

RTV Dukagjini tentoi të marr prononcim edhe nga personi që është pronar i bufesë për të marr detaje tjera nëse ai i paguan qira ATK-së për shfrytëzimin e hapësirës por ishte e pamundur.