Buding me luleshtrydhe
E keni provuar ndonjëherë pudingun me luleshtrydhe? Ka padyshim shije më të freskët e verore se ai i zakonshmi. Është mirë të përgatitet një ditë më parë.
Lifestyle
Koha e përgatitjes-20 minuta
Koha e pjekjes-40 minuta
Përbërësit për tavë drejtkëndëshe 26 x 10 cm:
500 ml qumësht
100 g miell semolino
180 g sheqer kaf (ose i bardhë)
60 g kos i bardhë
50 g gjalpë në temperaturë ambienti
3 vezë të mëdha ose 4 të vogla
lëkura e 1 limoni organik
130 g luleshtrydhe ose mjedra
Përgatitja:
Ngrohim paraprakisht furrën në temperaturën 180° C.
1. Në një tenxhere të vogël hedhim qumështin, miellin semolino dhe lëkurën e limonit në copa të mëdha dhe i vendosim në zjarr jo të lartë. E përziejmë masën me lugë druri derisa të fillojë të marrë valë; nuk duhet të ziejë, sepse trashet. Heqim lëkurat e limonit dhe e hedhim kremin në një tas, që të vaket, shkruan living.al.
2. Kur të jetë vakur, në një tas të vogël përziejmë me rrahësen e vezëve me dorë vezët me sheqerin, i shtojmë te tasi ku kemi kremin, shtojmë kosin, gjalpin dhe i përziejmë përsëri.
3. E hedhim brumin në tavën e veshur me letër furre ose të lyer me gjalpë e miell, hedhim luleshtrydhet të prera në mes dhe e vëmë të piqet për rreth 40 minuta ose derisa të shohim që është mpiksur.
E lëmë të ftohet në tavë në temperaturë ambienti dhe më pas, ashtu siç është, e ruajmë në frigorifer, të mbuluar me plastmasë kuzhine.
E shërbejmë të prerë në feta të holla, me pak sheqer pluhur dhe copa luleshtrydhesh të freskëta.
I mbuluar me plastmasë kuzhine, mund të ruhet shumë mirë në frigorifer për 2 ditë.