BSPK në vend të protestës, pret mysafirë

Punësimi dhe zhvillimi ekonomik mbeten brenga kryesore në Kosovë, ka thënë Kryetari i AAK-së, Ramush Haradinaj, gjatë një vizite që i bëri BSPK-së. Kurse Haxhi Arifi tha se shpreson se viti i ardhshëm do te jetë më i mirë sa i përket punësimit. 

Lajme

01/05/2014 15:44

Bashkimit i Sindikatave të Pavarura të Kosovës (BSPK), ka hapur derën për mysafir, jo pse kanë ndonjë aheng, por kështu kanë vendosur ta kalojnë 1 Majin, ditën e punëtorëve.

Nuk dihet nëse i ka penguar moti me shi, apo diçka tjetër, por përfaqësues të BSPK-së kanë vendosur të qëndrojnë në kolltukët e tyre, duke qenë optimist për një të ardhme më të mirë për punëtorët, por pa e ditur se si dhe në çfarë mënyre.

Mysafiri i parë i Kryetarit të BSPK-së, Haxhi Arifi, ishte lideri i AAK-së, Ramush Haradinaj. 

Haradinaj ishte pak më i ashpër në gjendjen jo të mirë të punëtorëve. Tha se e ka përcjellë gjendjen e punëtorëve kosovar por, sipas tij, edhe pse janë bërë disa përparime në aspektin ligjor, punësimi dhe zhvillimi ekonomik mbetet brengat kryesore.

“E kemi përcjellë me kujdes gjendjen e punëtorëve të atyre të punësuar, atyre të pa punë në sektorin publik dhe privat” .

“E dimë që ligjet bazike janë aprovuar e dimë se marrëveshja ose Kontrata Kolektive  është aprovuar por, ka mbetë shumë për tu bërë. Brenga kryesore do të jetë punësimi dhe zhvillimi ekonomik” tha Haradinaj

Ndërkaq, Arifi tha se shpreson se viti i ardhshëm do të jetë më i mirë sa i përket punësimit.

“Shpresojmë që viti i ardhshëm do të jetë akoma më i mirë akoma ma pozitiv për punëtorin e Kosovës sidomos punësimi i atyre të pa punëve”, tha Arifi.

Haradinja e Arifi thanë se do ta vazhdojnë bashkëpunimin që kanë edhe në të ardhmen.