BSPK kërkon masa urgjente për mbrojtjen e punëtorëve gjatë valës së të nxehtit
Bashkimi i Sindikatave të Pavarura të Kosovës (BSPK) ka kërkuar ndërmarrjen e masave urgjente për mbrojtjen e punëtorëve të ndërtimtarisë dhe atyre të sektorit publik gjatë temperaturave të larta që po mbizotërojnë në vend, duke paralajmëruar për rritje të rrezikut të aksidenteve dhe pasojave fatale në vendet e punës. Sipas BSPK-së, sektori i ndërtimtarisë vazhdon…
Lajme
Bashkimi i Sindikatave të Pavarura të Kosovës (BSPK) ka kërkuar ndërmarrjen e masave urgjente për mbrojtjen e punëtorëve të ndërtimtarisë dhe atyre të sektorit publik gjatë temperaturave të larta që po mbizotërojnë në vend, duke paralajmëruar për rritje të rrezikut të aksidenteve dhe pasojave fatale në vendet e punës.
Sipas BSPK-së, sektori i ndërtimtarisë vazhdon të mbetet ndër më të rrezikshmit në Kosovë. Të dhënat e Inspektoratit të Punës tregojnë se gjatë vitit 2025 janë regjistruar 602 lëndime në vendin e punës, prej të cilave 33 për qind kanë ndodhur në sektorin e ndërtimit.
Sindikata thekson se që nga viti 2018, më shumë se 170 punëtorë kanë humbur jetën në vendet e tyre të punës, ndërsa viti 2025 është shënuar me numrin më të lartë të viktimave. Vetëm gjatë muajit korrik, tre punëtorë humbën jetën në kantiere ndërtimi, dy në Gjakovë dhe një në Pejë, në periudhën kur vendi po përballej me temperatura ekstreme.
Në reagimin e saj, BSPK vlerëson se kapacitetet mbikëqyrëse mbeten të pamjaftueshme për të garantuar sigurinë e punëtorëve. Aktualisht, në gjithë Kosovën operojnë vetëm 53 inspektorë pune, numër që, sipas sindikatës, nuk mjafton për mbikëqyrjen e mbi 1.000 kantiereve aktive dhe mijëra vendeve të tjera të punës.
“Vetëm gjatë vitit 2024 janë lëshuar mbi 1.019 leje ndërtimi, ndërsa edhe vetë Kryeinspektori i Punës ka pranuar se numri aktual i inspektorëve nuk i përgjigjet nevojave reale të tregut të punës”, thuhet në reagim.
BSPK rikujton se edhe më herët janë ndërmarrë masa të ngjashme për mbrojtjen e punëtorëve. Në korrik të vitit 2024, Ministria e Shëndetësisë kishte urdhëruar ndërprerjen e punës në sektorin e ndërtimit nga ora 11:00 deri në 17:00, për shkak të temperaturave që kishin kaluar 36 gradë Celsius.
Sindikatat kërkojnë që masa të tilla të zbatohen edhe gjatë kësaj vere, duke përfshirë sigurimin e ujit të pijshëm, hapësirave me hije, pushimeve të rregullta dhe pezullimin e punës gjatë orëve më të nxehta të ditës.
Përveç sektorit privat, BSPK ka ngritur shqetësime edhe për kushtet e punës në institucionet publike. Sipas saj, janë raportuar ankesa nga punonjës të administratës publike dhe institucioneve shtetërore për mungesë ventilimi, sisteme klimatizimi jofunksionale ose të pamjaftueshme dhe ambiente të papërshtatshme pune gjatë temperaturave të larta.
“E drejta për kushte të sigurta dhe të shëndetshme pune duhet të garantohet në çdo vend pune, përfshirë institucionet publike”, thuhet në reagim.
Në fund, BSPK u ka bërë thirrje Inspektoratit të Punës, Ministrisë së Shëndetësisë dhe institucioneve të tjera përgjegjëse që të intensifikojnë kontrollet dhe monitorimin e zbatimit të masave mbrojtëse në të gjitha vendet e punës.
Po ashtu, sindikata ka ftuar punëtorët që ndihen të rrezikuar nga kushtet e punës të kontaktojnë BSPK-në për mbështetje dhe raportim të rasteve.
“Siguria dhe shëndeti në punë nuk duhet të bëhen temë vetëm pasi të ndodhë tragjedia. Mbrojtja e jetës, shëndetit dhe dinjitetit të punëtorëve duhet të jetë prioritet i përhershëm i institucioneve dhe punëdhënësve”, përfundon reagimi. /Lajmi.net/