Brukseli ende neutral karshi sovranitetit të Kosovës

Draft-marrëveshja e dërguar në Prishtinë nga Brukseli për MSA-në, thuhet se nuk e njeh plotësisht sovranitetin e Kosovës. Për këtë gjë, mëson Kosova Sot, se Ministrja Vlora Çitaku do të shkojë në Bruksel nesër për të diskutuar me përfaqësues ndërkombëtar atje.

Lajme

29/03/2014 09:14

Këtë vit pritet që Kosova dhe Bashkimin Europian të përmbyllin negociatat në nivelin e grupeve punuese për MSA-në.

Por, sipas burimeve të “Kosova Sot”, Ministrisë së Integrimeve Europaine, këto ditë i ka ardh nga Brukseli një draft-marrëveshje, në të cilën,  ku Brukseli nuk e njeh  në mënyrë eksplicite sovranitetin e Kosovës.

“Dokumenti ka ardhur në Prishtinë dhe aty i kanë hequr pothuajse të gjitha fjalitë dhe theksimet, me të cilat Kosova do të duhej të trajtohej si shtet. Është një formulim krejtësisht neutral që anashkalon njohjen e sovranitetit të shtetit të Kosovës”, ka thënë ky burim për këtë gazetë.

E për këtë gjë, siç mëson Kosova Sot, do bëj se Ministrja Vlora Çitaku të kryej një udhëtim të shkurtër në Bruksel. Qeveria po ashtu është duke përgatitur një letër, në të cilën do të ankohet për mos njohjen e sovranitetit.

Se Vlora Çitaku do të niset nesër në Bruksel, e ka konfirmuar edhe këshilltari i saj për media, Shkumbin Noka, por i cili ka mohuar se në Prishtinë ka ardhur ndonjë dokument nga Brukseli.

“Nuk ka dokument, ato janë negociata, të cilat zhvillohen dhe barten andej dhe këndej,e më në fund ai dokument nënshkruhet sepse nuk është sikur Raporti i Progresit”, ka thënë Noka për Kosova Sot.