“Britma të tmerrshme”: Banori i Prizrenit publikon videon nga shpërthimi i fishekzjarrëve

Pas shpërthimit të mjeteve piroteknike në një pikë-shitje në rrugën “Ahmet Prishtina” në Prizren, të martën vonë, një banor ka publikuar një video të pamjeve që kanë kapur kamerat e shtëpisë. Arsim Gjinovci përmes një postimi në Facebook, tha se i janë thyer gati të gjitha dritaret e shtëpisë, ndërsa shtoi se dëgjoheshin britma të…

Lajme

01/01/2025 11:48

Pas shpërthimit të mjeteve piroteknike në një pikë-shitje në rrugën “Ahmet Prishtina” në Prizren, të martën vonë, një banor ka publikuar një video të pamjeve që kanë kapur kamerat e shtëpisë.

Arsim Gjinovci përmes një postimi në Facebook, tha se i janë thyer gati të gjitha dritaret e shtëpisë, ndërsa shtoi se dëgjoheshin britma të “tmerrshme” të njerëzve në rrugë.

“Na u thyen gati gjitha dritaret e shtëpisë. I mbylla disi me najlon që mujta me gjetë. Korridoret mbetën pa dritare. Disa herë thirrëm në 194 dhe emergjencën të dërgojnë ndihmë se dëgjohej britma e tmerrshme e njerëzve në rrugë, në u përgjigjeshin ‘Zoti ju ndihmoftë’”, shkroi Gjinovci.

Banori i Prizrenit tutje tha se pasi pushuan shpërthimet, ishin prezent policia dhe organet tjera shtetërore, ndërsa u ankua duke deklaruar se shtetit nuk i interesoi se a shpëtuan.

“Pasi pushuan shpërthimet, ishin prezent policia dhe organet tjera shtetërore. Por për ne, familjen tonë, askujt nga shteti nuk i interesoi a shpëtuam, a patëm dëme, a kemi nevojë për diçka dhe si do ta kalojmë natën sonte. Edhe pse dëmet ishin evidente, i shihnin edhe ata. Unë i tregova, disa policëve për të gjitha dritaret e dëmtuara në shtëpi, dhe as që u bëri përshtypje. Indiferencë totale”, shkruan mes tjerash në ankesën e publikuar në Facebook.

Në raportin 24-orësh të policisë thuhet se nga kjo ngjarje janë të lënduar janë dy persona, dhe njëri prej tyre për shkak të gjendjes më të rëndë është dërguar për tretman në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës..