Britanikët do të rikthehen në Bagdad

Mbretëria e Bashkuar po planifikon të rikthejë personelin ushtarak në Bagdad për të ndihmuar forcat irakiane në betejën e tyre kundër militantëve të “Shtetit Islamik”, të shpallur në muajin korrik nga organizata terroriste “shteti Islamik i Irakut dhe Sirisë” (ISIS).

Bota

05/11/2014 15:39

Paraprakisht, siç njofton BBC, pritet të dërgohen ekspertë ushtarakë të cilët do të stacionohen në Qendrën e re amerikane, e cila së fundmi është themeluar në kryeqytetin irakian.

Një pjesë e madhe e Sirisë dhe Irakut janë aktualisht nën kontrollin e militantëve të ISIS-it, të cilët që prej shpalljes së kalifatit të tyre kanë vrarë më shumë se 10 mijë civilë, shumica irakianë shiitë dhe të krishterë.

Forcat e fundit britanike u tërhequr nga Iraku në vitin 2011, tetë vjet pas misionit për përmbysjen e ish-diktatorit irakian, Sadam Husein.

Por ministri britanik i Mbrojtjes, Michael Fallon, ka thënë të mërkurën se misioni i kufizuar që do të dërgohet në Bagdad,  nuk do të çojë në vendosjen e trupave luftarake në Irak.

Në një intervistë për BBC-në, ministri Fallon ka thënë se forcat irakiane janë duke bërë përparim në ndalimin e ofensivave të “Shtetit Islamik” drejt Bagdadit, por ato kanë nevojë urgjente për më shumë ndihmë nga Britania.

“Kjo ndihmë do të vijë në formën e personelit ndërlidhës dhe trajnerëve ushtarakë të cilët do të ndajnë aftësitë e tyre të specializuara në trajtimin e forcave irakiane”, ka thënë Fallon për BBC, transmeton lajmi.net.

Edhe Shtetet e Bashkuara javë më parë ranë dakord të dërgojnë rreth 500 ushtarë në Irak dhe gjetkë në rajon, me qëllim të riformimit të ushtrisë irakiane dhe aftësimit të tyre për të luftuar ISIS-in.