Britania kërkon kufizim të lëvizjes së punëtorëve brenda BE-së

Kryeministri britanik, David Cameron deklaroi të dielën se dëshiron t’i vazhdojë planet për mbajtjen e referendumit lidhur me anëtarësimin e Britanisë së madhe në BE, që është planifikuar të mbahet në vitin 2017. 

Bota

04/01/2015 15:09

Cameron, i cili është nën presion të euroskeptikëve nga radhët e partisë së tij Konservatore, dhe shkaku i rritjes së popullaritetit të Partisë së pavarësisë (UKIP), e cila është kundër eurointegrimeve, ka premtuar se do të negociojë për lidhjet e Londrës me Brukselin dhe se do të përpiqet të rikthejë autorizime të caktuara nga BE-ja në Britaninë e Madhe.  

Ai ka paralajmëruar mbajtjen e referendumit gjatë vitit 2017, në qoftë se partia e tij i fiton zgjedhjet e caktuara për në muajin maj.  

“Referendumi duhet të mbahet para fundit të vitit 2017. Nëse mendoj që kjo mund të bëhet edhe para fundit të vitit, do të isha shumë i kënaqur. Sa më parë që të arrij të përmbush premtimin për negociata dhe referendum, aq më mirë”, deklaroi Cameron për BBC.

 Analistët thonë se presin që Cameron nga mesi i kësaj jave në Londër do të bisedojë me kancelarin gjermane Angela Merkel lidhur me planet për negociata në Bruksel.  

Cameron tha se për negociatat me Brukselin është i domosdoshëm ndryshimi i Traktatit të Lisbonës, derisa mergel ka shprehur qëndrimin e qartë se nuk do të lejojë ndryshimin e rregullativës për zvogëlimin e lirive të lëvizjes së punëtorëve përbrenda Unionit Evropian.