Britani, dënohet mësuesi që u bë gati të “luftonte” ISIS-in!

Jamshed Javeed, nga Mançester, mësues i lëndës së kimisë, ishte bërë gati për të shkuar në Siri, por pasi u arrestua në dhjetor të vitit 2013, gjykimi u stërzgjat për shkak të “lojës së tij me fjalë”. Por Gjykata Woolwich Crown e dënoi të enjten më gjashtë vjet burg, pavarësisht se mbet e paqartë se përkrahë cilit grup e kishte ndërmend të luftonte.

Bota

05/03/2015 16:47

Javeed, 30 vjeçar, i cili pranoi disa prej akuzave si vepra të ndërlidhura me terrorizmin, deklaroi në gjykatë se ai donte të shkonte për të mbështetur sirianët e zakonshëm në luftë kundër “Shtetit Islamik të Irakut dhe Sirisë” (ISIS).

Ai ishte bërë gati, pasi për në siri kishte përcjellë të vëllanë më të vogël, Mohammed, dhe tre shokë të tjerë. Planet iu prishën pasi familja e tij, gruaja shtatëzënë, që kishte edhe një vajzë tjetër të vogël me Javeed, ia fshehu pasaportën dhe e paraqiti në polici.

Javeed dukej paska ndryshe si mësues
Javeed dukej paska ndryshe si mësues

 

Ditën kur u arrestua, policia britanike gjeti 2000 euro para të gatshme, doreza termike dhe pantallona luftarake dhe një çantë shpine, të mbushur me pajisje të nevojshme për udhëtim më të gjatë.

Në një seancë të mëparshme, Javeed kishte pranuar dy akuza, se ishte angazhuar në përgatitjen e akteve terroriste në Siri, por këmbënguli se atje e kishte ndërmend për të udhëtuar vetëm për të mbështetur popullin e Sirisë, jo për t’iu bashkuar “Shtetit Islamik”.

Prokurori Simon Denison, gjatë seancës, tha se Javeed kishte treguar shenja ekstremizmi edhe përpara se të arrestoj, dukej shumë radikal në shoqëri, edhe në shkollën ku punonte, dhe se pasi ishte kapur nga policia, ndryshoi fjalët. Sipas prokurorit, i pandehuri e kishte ndërmend t’i bashkohej grupit terrorist të “Shtetit Islamik”.

Gjykatësi Michael Topolski, tha se ishte shumë i pakënaqur me përgjigjet radikale të të pandehurit. “Mendimi juaj i dhunshëm xhihadist është i rrezikshëm. Me këtë mendim keni nxitur dhe ndihmuar të rinjtë për të luftuar në Siri. Sipas të gjitha gjasave përkrah ISIS-it. Por pavarësisht kësaj drejtësia duhet të ndahet, sepse njëri nga të rinjtë që i keni ndihmuar të shkojë në Siri, tashmë është vrarë”, tha gjykatësi duke ia shqiptuar dënimin e miratuar edhe nga Kolegji – gjashtë vjet burg. /lajmi.net/