Brezovica me kompani fituese deri në shtatorin 2014

Brezovica deri në shtatorin e vitit 2014 do të ketë një kompani fituese për ta zhvilluar atë. Aeroporti i Gjakovës planifikohet të funksionalizohet si aeroport komercial.

Lajme

29/12/2013 14:12

Brezovica e njohur për skijim gjatë stinës së dimrit mund të bëhet me kompani fituese për zhvillimin e saj deri në shtatorin e vitit që po vjen. Por, fillimisht Kuvendi i Kosovës duhet të miratojë planin hapësinor të Brezovicës.

Kështu ka deklaruar Ministri i Tregtisë dhe Industrisë, Bernard Nikaj në konferencën e fundvitit për këtë institucion.

Nikaj tha se pas miratimit të planit hapësinor nga Kuvendi, gjithçka do të realizohet sipas planeve.

“Muajin e kaluar është aprovuar plani hapësinor për Brezovicën në Qeverinë e Kosovës, e cila automatikisht ka mundësuar që të shkohet në Kuvend ky plan dhe posa Kuvendi ta aprovojë, ne do të kalojmë në fazën e ardhshme të projektit”.

“Në vitin 2011, kemi pasur 5 konsorciume të interesuara për parkun e Brezovicës ku janë parakualifikuar katër nga to, kur plani hapësinor të kalojë në Kuvend, ne do të shpallim kërkesën për projekte për këto konsorciume dhe nga to do zgjedhet. Nëse gjithçka shkon sipas planit, shpresojmë që deri në shtatorin e vitit të ardhshëm të kemi kompaninë fituese që do të fillojë më zhvillimin e projektit të Brezovicës”, tha ai.

 

Nikaj ka folur edhe për bisedimet për MSA-në ku tha se deri në 80% e atyre negociatave kanë të bëjnë me tregtinë.

Ndërsa, për pakon e re fiskale të Shqipërisë, tha se kanë bërë kërkesë tek ata që të bëhen disa ndryshime dhe kanë premtime se do merren parasysh. Tha se Qeveria e re shqiptare është tejet e përkushtuar dhe më bashkëpunuese.

“Jemi në kontakt të vazhdueshëm me komunitetin tonë të biznesit e edhe me Qeverinë e Shqipërisë që t’i adresojmë të gjitha problemet eventuale që mund të ndodhin si pasojë e politikave që mund t’i ndjek Qeveria e Shqipërisë. Jemi në pritje dhe përcjellje t’i shohim si do adreson në ditët në vijim”.

“Pakoja fiskale ende nuk ka përfunduar në Shqipëri, të shohim kur të përfundon se sa janë marrë parasysh kërkesat tona, por nga ana e Qeverisë shqiptare kemi premtime që do të adresohen në favor të bizneseve”, ka thënë ai.

Ai gjithashtu ka thënë se, në 2014 do të nënshkruhet edhe marrëveshja e tregtisë me Turqinë si dhe do të bëhet kategorizimi i objekteve hoteliere në vitin që po hyjmë.