Brezi që synon të ikë nga Kosova
Është një kontribut gjithpërfshirës i krejt politikës kosovare që kemi mbërri në stadin kur dy të tretat e atyre që janë në moshën e re, do të iknin nga Kosova brenda ditës po të kishin mundësi.
Opinion
Elefanti në dhomë.
Është ky një formulim shumë i njohur në diplomaci, por edhe në politikë, i cili në mënyrën më të shkurtër dhe më të sakt të mundshme, përshkruan situatën kur në një proces negociator, apo edhe në zhvillimet politike në një vend, injorohet apo nuk mirret parasyshë problemi kryesor në ato bisedime, apo edhe në politikën që mbizotëron në një vend.
Natyrisht, është edhe një tjetër fjali antologjike, e cila sërish lidhet me elefantin, poaq saktësisht përshkruese për veprimet politike në një shoqëri, të cilat nuk marrin aspak parasyshë gjendjen reale në një vend. Kjo fjali tërheq paralelen në mes të sjelljes së elefantit në një shitore porcelani (dihet fati i porcelanit në këtë rast), dhe të një politike që prishë dhe rrënon gjithçka, ndërsa detyra kryesore e saj (e kësaj politike), është të ndreq, t’i ruajë vlerat kryesore të një shoqërie, dhe të krijojë (gjithsesi), vlera të reja.
Ky formulimi i parë për një refuzim kategorik dhe të vazhdueshëm të politikës kosovare për ta hetuar këtë ‘elefantin’ që po sillet këndejpari, duket që është sqarimi më i ndershëm i mundshëm ndaj rezultateve të një hulumtimi të nervit publik, të titulluar ‘Analiza e Pulsit Publik – Sfidat dhe Këndvështrimet e rinisë në Kosovë’, të cilën e bënë publik UNDP dhe USAID këto ditë në Prishtinë.
Të anketuarit të përfshirë në këtë hulumtim janë të moshës 25-35 vjet, apo, përfaqësues të brezit i cili objektivisht, brenda një harku kohor 10-15 vjet, do të duhej ta merrte në dorë fatin e udhëheqjes me këtë shtet, me këtë shoqëri.
Ky është brezi që realisht, për shkak të moshës që ka, nuk ka lidhje direkte me atë historinë tonë të rëndë, tragjike, por edhe të lavdishme e të suksesshme të viteve të nëntëdhjeta. Nuk kanë si të ndahen pjesëtarët e këtij brezi në dy apo më shumë tabore politike, të lidhura me Lëvizjen paqësore për pavarësi, apo me atë krahun e luftës të përfaqësuar nga UÇK.
Megjithatë, këta kanë qenë në moshën kur kanë mundur ta kuptojnë fare mirë rëndësinë e krijimit të shtetit të Kosovës, dhjetë vjet më parë, apo, në shkurtin e vitit 2008.
Sidoqoftë, përgjigjet e tyre në këtë hulumtim, dëshmojnë në masë të madhe gjendjen reale që mbizotëron te ky brez, kur bëhet fjalë për ndjenjat, bindjet, preokupimet dhe synimet e tij, si gjeneratë.
Gati dy të tretat e tyre, apo 60 përqind, shfaqen me gatishmërinë e tyre që të largohen nga Kosova në tri vitet e ardhshme. Gati gjysma e tyre (48%), janë pesimistë për të ardhmen e Kosovës (ndërsa Kosova si shoqëri, siç e dimë të gjithë, për vite të tëra ka qenë kampione e përvitshme botërore për shkallën e optimizmit). Për më shumë, shumica e tyre vlerësojnë që situata e përgjithshme politike në vend është problemi kryesor në Kosovë.
Janë këto vlerësime dhe shifra alarmante për gjendjen e përgjithshme në Kosovë, në brezin i cili e ka këtë perspektivën bilogjike, për të qenë në krye të këtij vendi brenda një periudhe të shkurtër kohore që matet me vite.
Ndërsa këtu po del që ata, së paku nëse mirret parasyshë vullneti i tyre, më me dëshirë do ta kërkonin fatin e tyre individual në Perëndim, se sa që do të përpiqeshin të jenë kontribues dhe madje garantues të një fati kolektiv të qytetarëve të Kosovës.
Do të ishte befasi e dorës së parë, nëse ky hulumtim me këto shënime që do të duhej të shërbenin si një ‘thirrje për zgjim’, do të bëhej në ditët e ardhshme një temë e debateve dhe diskutimeve politike dhe diplomatike. Edhe nëse dikush, në këtë politikën tonë të mjerë, do t’i zë në gojë ato (shënime dhe vlerësime), ai këtë do ta bëj me qëllim të vetëm për ta drejtuar gishtin e fajit dhe të përgjegjësisë kah një Qeveri, një lider, një politikë të veçantë, një mandat parlamentar, ndërsa realisht, është një kontribut i gjërë, i vazhdueshëm dhe gjithpërfshirës i krejt politikës kosovare që kemi mbërri në këtë stad, kur dy të tretat e atyre që janë në moshën më të mirë, do të iknin nga Kosova brenda ditës, vetëm po të kishin mundësi.
Rendi është që më në fund të kuptojmë se në këtë mënyrë nuk mund të bëhet politikë në Kosovë.
(Autori është kolumnist i rregullt i portalit lajmi.net)