Brestovci: Deri në fund të muajit mars 2025, do të largojmë deri 1500 qenë endacakë

Në kryeqytet shumë shpejt pritet të funksionalizohet qendra për strehimin e qenve pa pronar. Drejtori i Shërbimeve Publike në Komunën e Prishtinës, Bekim Brestovci zotohet se deri në mars të viti 2025 do të largohen deri në 1 mijë e 500 qen pa strehim nga kryeqyteti. Ndërsa në Hajvali javën e kaluar në këtë qendër…

Lajme

07/11/2024 11:17

Në kryeqytet shumë shpejt pritet të funksionalizohet qendra për strehimin e qenve pa pronar.

Drejtori i Shërbimeve Publike në Komunën e Prishtinës, Bekim Brestovci zotohet se deri në mars të viti 2025 do të largohen deri në 1 mijë e 500 qen pa strehim nga kryeqyteti.

Ndërsa në Hajvali javën e kaluar në këtë qendër ndodheshin vetëm katër qen.

“Sipas dinamikës që ne e kemi krijuar, po pretendojmë t’i kapim mes 40 dhe 50 qen brenda javës deri në funksionalizmin e qendrës tonë të strehimit. Më pastaj këtë dinamikë do e rrisim sepse tanimë, është i njohur premtimi im publik që deri në fund të muajit mars të vitit të ardhshëm, të bëjmë largimin e 1300 deri 1500 qenve endacakë nga hapësirat publike. Të njëjtit do të trajtohen, por besojmë që shumica e tyre edhe do të kalojnë në adaptim…Qendra për strehim është e ndarë në dy faza. Faza e parë besoj që maksimalisht edhe dy javë funksionalizohen”, tregon Brestovci.

Ndërkaq, lidhur me raportimet për sulmet nga qentë në QKUK, Brestovci premton se vullnetarisht do t’i largojnë qentë nga aty, porse thekson se nuk është përgjegjësi e komunës.

“Për hapësirat brenda Qendrës së Klinikës Universitare, Komuna e Prishtinës nuk është përgjegjëse për sigurinë brenda për brenda atij lokacioni… Jemi zotuar që deri në fund të këtij muaji, më së largu deri në përfundim të javës së parë muajit nëntor t’i largojmë të gjithë qentë nga QKUK. Po i dalim ndihmë edhe atyre”, shton Brestovci.

Ai tregon se deri më tani janë adaptuar rreth 300 qen.

Udhëheqësja e Fondacionit për të Drejtat e Kafshëve, Elza Ramadani thotë se komunat shpenzojnë mijëra euro për zgjidhjen e problemit me qentë endacakë, porse projektet e tyre janë afatshkurtra.