Breshëri godet fermerët e Istogut, Ferati: Komisionet dalin nesër për evidentimin e dëmeve
Kryetari i Komunës së Istogut, Ilir Ferati, ka reaguar pas dëmeve të shkaktuara nga reshjet e dendura të breshërit dhe shiut, të cilat kanë prekur veçanërisht sektorin e bujqësisë dhe shumë fermerë të kësaj komune. Përmes një reagimi në Facebook, Ferati ka thënë se Komuna e Istogut është pranë familjeve dhe bujqve që janë përballur…
Lajme
Kryetari i Komunës së Istogut, Ilir Ferati, ka reaguar pas dëmeve të shkaktuara nga reshjet e dendura të breshërit dhe shiut, të cilat kanë prekur veçanërisht sektorin e bujqësisë dhe shumë fermerë të kësaj komune.
Përmes një reagimi në Facebook, Ferati ka thënë se Komuna e Istogut është pranë familjeve dhe bujqve që janë përballur me pasojat e këtyre reshjeve, ndërsa ka bërë të ditur se nga dita e nesërme do të nisë procesi i evidentimit dhe vlerësimit të dëmeve në terren.
“Reshjet e dendura të breshërit gjatë ditës së sotme kanë shkaktuar dëme të konsiderueshme, veçanërisht në sektorin e bujqësisë, duke prekur shumë fermerë që me mund dhe përkushtim punojnë tokën këtë sezon”, ka shkruar Ferati.
Ai ka bërë të ditur se komisionet komunale do të dalin në terren menjëherë pas stabilizimit të situatës për të evidentuar dëmet e shkaktuara.
“Pas procesit të vlerësimit, raporti zyrtar do t’i përcillet Ministrisë së Bujqësisë, me shpresë për mbështetje sa më të shpejtë ndaj fermerëve tanë, me qëllim të tejkalimit të dëmeve të shkaktuara nga kjo fatkeqësi natyrore”, është shprehur kryetari i Istogut.
Ferati ka thënë se Komuna do të vazhdojë të jetë pranë qytetarëve dhe fermerëve gjatë gjithë procesit, deri në tejkalimin e situatës së krijuar nga reshjet.
“Uroj që pasojat të jenë sa më të vogla. Komuna do të jetë pranë qytetarëve dhe bujqve në çdo hap të këtij procesi”, ka shkruar ai. /Lajmi.net/