​Brenda dy ditëve përfundon masa e përkohshme e vendosur nga Kushtetuesja- çfarë pritet të ndodh pas 54 dështimeve në Kuvend?

Na ndajnë edhe dy ditë nga kur pritet që të marrë fund masa e përkohshme e vënë nga Gjykata Kushtetuese, me të cilën u është ndaluar deputetëve çfarëdo vendimi apo veprimi për konstituimin e Kuvendit. Krejt kjo erdhi si rezultat pasi deputetët tash e katër muaj dështuan për të arritur konstituimin e Kuvendit, ani pse…

Lajme

06/08/2025 14:07

Na ndajnë edhe dy ditë nga kur pritet që të marrë fund masa e përkohshme e vënë nga Gjykata Kushtetuese, me të cilën u është ndaluar deputetëve çfarëdo vendimi apo veprimi për konstituimin e Kuvendit.

Krejt kjo erdhi si rezultat pasi deputetët tash e katër muaj dështuan për të arritur konstituimin e Kuvendit, ani pse u mblodhën plotë 54 herë.

Një muaj më parë Kushtetuesja dha një afat prej 30 ditësh për të arritur një marrëveshje mes subjekteve politike dhe për të bërë të mundur funksionalizimin e Kuvendit, por pa ndonjë zhvillim e çdo seancë përsëriste të njëjtin episod.

Lëvizja Vetëvendosje si fituese e zgjedhjeve, e propozoi Albulena Haxhiun për kryeparlamentare, por ajo nuk i mori votat e mjaftueshme në disa tentime.

Më pas LVV-ja, falë edhe kryesuesit të seancës Avni Dehari, që vjen nga kjo parti, tentoi ta ndryshonte formën e votimit – nga i hapur, në votim të fshehtë. Dhe për votim të fshehtë u tentua të krijohet një komision, që për gati 50 votime nuk arriti t’i marrë votat e mjaftueshme, propozim ky i cili nga opozita po quhet veprim i kundërligjshëm nga ana e LVV-së

Krejt ky “kaos” dhe kjo “kryeneçësi” mes partive politike bëri që Gjykatës Kushtetuese t’i drejtohej edhe presidentja e vendit, Vjosa Osmani.

“Sot, në përmbushje të përgjegjësisë time kushtetuese për të garantuar funksionimin demokratik dhe kushtetues të institucioneve të vendit, kam paraqitur kërkesë në Gjykatën Kushtetuese për të shqyrtuar konfliktin e kompetencave kushtetuese të krijuara nga mungesa e konstituimit të Kuvendit të Kosovës. Duke qenë se çdo afati detyrueshëm kushtetues dhe çdo moszbatim i aktgjykimeve të Gjykatës Kushtetuese duhet të ketë edhe pasoja juridike por ato nuk janë sqaruar në aktgjykimin paraprak, kërkesa jonë sot në esencë është kërkesë për qartësimin e pasojave juridike të moskonstituimit të Kuvendit brenda afatit kushtetues prej 30 ditësh“, deklaroi Osmani.

Menjëherë pas kësaj, Kushtetuesja vendosi masën e përkohshme dyjavore, e cila hyri në fuqi 27 korrik, një ditë pasi përfundoi 30-ditëshi i përcaktuar nga ajo si afati i fundit për konstituimin e Kuvendit.

Ndryshe seanca për konstituimin e Kuvendit nisi më 15 prill. Bllokada është shkaktuar te pika e tretë e rendit të ditës – zgjedhja e kryetarit.

Kjo situatë e krijuar në Kosovë me mos konstituimin e Kuvendit dhe formimin e Qeverisë ka bërë që edhe ndërkombëtarët të reagojnë duke treguar se me çfarë pasoja mund të përballet Kosova pas “ngërçit“ të krijuar në Kuvend.

Së fundmi ka qenë e Ngarkuara me Punë në Ambasadën e SHBA-së në Prishtinë, Anu Prattipati e cila ka thënë se Kosova po humb mundësi si pasojë e ngërçit politik në vend.

“Formimi i një qeverie pas zgjedhjeve është një funksion bazik demokratik, dhe ky bllokim i vazhdueshëm politik po rezulton në humbje të mundësive për Kosovën. Administrata Trump kërkon aleatë të fortë me të cilët mund t’i avancojmë prioritetet tona; një vend pa institucionet bazë dhe me një rrugë të pasigurt drejt krijimit të tyre është një partner te i cili nuk mund të mbështetemi gjithmonë plotësisht“, ka thënë ajo.

Deputetët, përveç zgjedhjes së kryeparlamentarit të ri, duhet të zgjedhin edhe pesë nënkryetarë, për të përmbyllur procesin e konstituimit të Kuvendit. Po ashtu që kur nisi seanca konstituive – organizatat joqeveritare u kanë bërë vazhdimisht thirrje deputetëve që t’i formojnë institucionet e reja.

Ndërkaq këtyre thirrjeve iu bashkuan edhe diplomatë të huaj si ambasadorët e Gjermanisë, Bashkimit Evropian dhe të tjerë që ishin të pranishëm në seancën e 52-të konstituive mirëpo që nuk patën ndonjë efekt.

E në mbi 50 seanca e vetmja arritje e kësaj legjislature ishte betimi i deputetëve- gjë e cila më pas ua mundësoi edhe marrjen e pagave të majme disa mujore për punën e shkurtër 2 minutëshe që bënin në secilën seancë.

Mos-koordinimi dhe mos-arritja e formimit të Kuvendit bëri që vendi të gjendet në bllokadë të vështirë institucionale. Krejt kjo çon drejt rrezikut edhe për diçka tjetër- marrjen e mandateve të deputetëve të dalë nga zgjedhjet e 9 shkurtit.

E krejt kjo situatë mund t’i sjellë vendit edhe një zhvillim tjetër, e që janë zgjedhjet e jashtëzakonshme tanimë të përmendura disa herë nga krerët e partive e nga zyrtarë të ndryshëm të subjekteve politike në vend./Lajmi.net/