Banka Qendrore e Republikës së Kosovës ka mirëpritur publikimin e raportit më të fundit të Fondi Monetar Ndërkombëtar (FMN), i cili njeh progres të rëndësishëm në forcimin e kornizës së stabilitetit financiar në vend.
Raporti i titulluar “Republic of Kosovo: Financial Sector Stability Review – Follow-up”, i përgatitur nga Departamenti për Tregje Monetare dhe të Kapitalit i FMN-së, vlerëson përparimet e arritura pas misionit përcjellës të realizuar me kërkesë të BQK-së, raporton lajmi.net
Sipas raportit, sistemi financiar në Kosovë mbetet përgjithësisht i qëndrueshëm, me banka të mirëkapitalizuara, nivel të ulët të kredive joperformuese dhe rezerva të mjaftueshme të likuiditetit mbi kërkesat rregullative.
FMN thekson se BQK ka avancuar ndjeshëm në disa fusha kyçe, përfshirë mbikëqyrjen e bazuar në rrezik, zbatimin e procesit të rishikimit dhe vlerësimit mbikëqyrës (SREP/SRP), testimin e qëndrueshmërisë dhe zhvillimin e politikave makroprudenciale.
Komunikatë e plotë:
Raporti i FMN-së njeh progresin në forcimin e kornizës së stabilitetit financiar të Kosovës
Banka Qendrore e Republikës së Kosovës (BQK) mirëpret publikimin e Raportit të Asistencës Teknike të Fondit Monetar Ndërkombëtar “Republic of Kosovo: Financial Sector Stability Review – Follow-up”, të përgatitur nga Departamenti për Tregje Monetare dhe të Kapitalit i FMN-së, pas misionit përcjellës të FSSR-së, të realizuar me kërkesë të BQK-së.
Raporti njeh progresin e rëndësishëm të arritur nga BQK-ja në forcimin e mbikëqyrjes së sektorit financiar, mbikëqyrjes së bazuar në rrezik, zbatimin e procesit të rishikimit dhe vlerësimit mbikëqyrës (SREP/SRP), testimit të qëndrueshmërisë, politikës makroprudenciale dhe qeverisjes institucionale. Po ashtu, raporti konfirmon se sistemi financiar i Kosovës mbetet përgjithësisht i qëndrueshëm, me banka të mirëkapitalizuara, nivel të ulët të kredive joperformuese dhe rezerva të likuiditetit mbi kërkesat rregullative.
Raporti i FMN-së thekson se, që nga FSSR i parë, BQK-ja ka avancuar reforma të rëndësishme, përfshirë forcimin e mbikëqyrjes bankare të bazuar në rrezik, avancimin e kornizës së SREP, zbatimin e standardeve rregullative të ndërlidhura me Basel III, si Raporti i Levës, LCR dhe NSFR, si dhe aktivizimin e instrumenteve makroprudenciale. Raporti gjithashtu njeh progresin në vendosjen e kornizës makroprudenciale, përfshirë përcaktimin e Bankave me Rëndësi Sistemike Vendore dhe vendosjen e Shtesës Kundërciklike të Kapitalit.
Raporti më tej vlerëson progresin e BQK-së në forcimin e aranzhimeve institucionale, kapaciteteve mbikëqyrëse, analizës së stabilitetit financiar dhe kornizave për gatishmëri ndaj krizave, duke ofruar një udhërrëfyes të qartë teknik për fazën e ardhshme të reformave. Këto rekomandime do të mbështesin përpjekjet e vazhdueshme të BQK-së për të avancuar më tej efektivitetin mbikëqyrës, monitorimin e rreziqeve sistemike, infrastrukturën e të dhënave, politikën makroprudenciale dhe qëndrueshmërinë e sektorit financiar.
BQK-ja shpreh mirënjohjen për Fondin Monetar Ndërkombëtar, Departamentin për Tregje Monetare dhe të Kapitalit, ekipin e misionit të FSSR-së, si dhe donatorët e Fondit për Stabilitetin e Sektorit Financiar (FSSF), mbështetja e të cilëve ka kontribuar në avancimin e asistencës teknike dhe zhvillimit të kapaciteteve në fusha kyçe të stabilitetit financiar.
BQK-ja mbetet e përkushtuar për zbatimin e reformave në përputhje me standardet ndërkombëtare dhe praktikat e Bashkimit Evropian, me qëllim ruajtjen e stabilitetit financiar, forcimin e qëndrueshmërisë institucionale dhe mbështetjen e zhvillimit të qëndrueshëm të sektorit financiar në Republikën e Kosovës./Lajmi.net/