​BQK për vitin 2025 parasheh rritje ekonomike prej 4.1%

Banka Qendrore e Republikës së Kosovës (BQK) ka publikuar raportin e stabilitetit financiar (RSF), duke ofruar një pasqyrë të thelluar mbi gjendjen e sistemit financiar të vendit, sfidat aktuale dhe pritjet për të ardhmen. Raporti konfirmon stabilitetin dhe qëndrueshmërinë e sektorit financiar, të mbështetur nga mbikëqyrja prudente, menaxhimi efektiv i rrezikut dhe korniza e rregulloreve…

Lajme

12/08/2025 20:45

Banka Qendrore e Republikës së Kosovës (BQK) ka publikuar raportin e stabilitetit financiar (RSF), duke ofruar një pasqyrë të thelluar mbi gjendjen e sistemit financiar të vendit, sfidat aktuale dhe pritjet për të ardhmen.

Raporti konfirmon stabilitetin dhe qëndrueshmërinë e sektorit financiar, të mbështetur nga mbikëqyrja prudente, menaxhimi efektiv i rrezikut dhe korniza e rregulloreve ligjore. Megjithatë, BQK paralajmëron se ndikimet nga pasiguritë ekonomike globale kërkojnë monitorim dhe reagim të vazhdueshëm.

Sipas raportit, ekonomia e Kosovës u rrit me 4.4% gjatë vitit 2024, e nxitur nga konsumi privat, investimet dhe eksportet. Inflacioni ra në 1.6%, kryesisht për shkak të uljes së çmimeve të ushqimeve dhe mallrave të importuara. Për vitin 2025, parashikohet një rritje prej 4.1% dhe inflacion mesatar prej 3.3%.

Sistemi bankar shënoi zgjerim të konsiderueshëm, me një rritje të kreditimit prej 18.3%, si pasojë e kërkesës së lartë nga familjet dhe bizneset, si dhe përmirësimit të kushteve kreditore.

Raporti thekson se treguesit e qëndrueshmërisë financiare janë brenda standardeve rregullative dhe se rezultatet e stres-testeve tregojnë një sektor të aftë për t’u përballur me goditje makroekonomike.

Likuiditeti mbetet i lartë dhe i mbështetur nga rritja e depozitave të sektorit privat. Po ashtu, niveli i kapitalizimit i sektorit bankar vlerësohet si adekuat për të përballuar rreziqet potenciale.

Megjithëse performanca fiskale ishte pozitive dhe raporti i borxhit publik ndaj BPV-së ka rënë, deficiti i llogarisë rrjedhëse dhe rritja e varësisë nga remitancat dhe investimet e huaja mbeten sfida për stabilitetin afatgjatë.

BQK thekson se politika makroprudenciale do të vazhdojë të jetë në funksion të parandalimit të rreziqeve sistemike dhe ruajtjes së stabilitetit financiar.