BQK ndryshon rregullat, ulje sigurimi për ngasësit pa aksidente
Banka Qendrore e Kosovës e ka miratuar plotësim-ndryshimin e rregullores për zbatimin e sistemit “Bonus-Malus” në sektorin e sigurimeve, e cila do të hyjë në fuqi nga 4 gushti, tha sot BQK-ja në një njoftim për media. Me ndryshimet e reja në rregullore, ngasësit e automjeteve të cilët nuk kanë shkaktuar aksident në vitin paraprak,…

Lajme
Banka Qendrore e Kosovës e ka miratuar plotësim-ndryshimin e rregullores për zbatimin e sistemit “Bonus-Malus” në sektorin e sigurimeve, e cila do të hyjë në fuqi nga 4 gushti, tha sot BQK-ja në një njoftim për media.
Me ndryshimet e reja në rregullore, ngasësit e automjeteve të cilët nuk kanë shkaktuar aksident në vitin paraprak, do të përfitojnë bonus edhe në rast të vonesës së regjistrimit të automjeteve.
Nga korriku i vitit 2020, me ndryshimet e bëra asokohe, ngasësit e automjeteve përjashtoheshin nga bonuset edhe nëse nuk kishin shkaktuar aksident në vitin paraprak, vetëm nëse ishin vonuar në ripërtëritjen e kontratës për vitin pasues.
Ky rregull është cilësuar diskriminues dhe në kundërshtim me ligjet në fuqi.
“Plotësim/ndryshimi i Rregullores për Zbatimin e Sistemit Bonus-Malus ka adresuar çështjen e aplikimit të një shkallë më të ulët të bonusit me rastin e vonesës së regjistrimit të automjetit, e që kërkonte që i siguruari të paguajë prim më të lartë të sigurimit, megjithëse nuk ka pasur aksident të raportuar në trafik”, tha sot BQK-ja në një komunikatë për media.
“Rregullorja e ndryshuar është miratuar në mbledhjen e Bordit të BQK-së të datës 25 qershor 2025, me efekt nga data 4 gusht 2025, për të siguruar kohën e nevojshme për zbatim në aspektin teknik në sistemin informatik që administrohet nga Byroja Kosovare e Sigurimit, në pajtim me kompetencat e ligjore”, tha BQK-ja në komunikatë.
Ndryshimi i rregullores është bërë sipas rekomandimeve të Avokatit të Popullit, i cili në një raport të mëhershëm i kishte rrëzuar pesë dispozita të Rregullores së BQK-së për sistemin Bonus-Malus, e cila u gjet se kufizonte të drejtën e ngasësve të automjeteve në Kosovë për t’i realizuar bonuset me rastin e regjistrimit të veturave.
Si praktikë ndërkombëtare, sistemi “Bonus-Malus”, merr për bazë një histori njëvjeçare të shoferëve dhe në bazë të aksidenteve të shkaktuara ose jo gjatë kësaj periudhe, llogaritë Bonusin ose Malusin, shkruan sot Buletini Ekonomik.
Pra, një person që nuk shkakton aksident në komunikacion shpërblehet me ulje të shumës së pagesës për sigurimin e automjetit dhe hynë në kategorinë Bonus, ndërsa ata që bëjnë aksidente paguajnë më shtrenjtë dhe hyjnë në kategorinë Malus.
Deri në vitin 2020, në Kosovë ky sistem ishte zbatuar vetëm sipas kriterit kur shoferët shkaktonin ose jo aksidente në komunikacion.