Bosnjë, 17 të arrestuar për terrorizëm, në Danimarkë 3 (Video)

Zyrtarët policorë të Agjencisë shtetërore për hetime dhe mbrojtje (SIPA) kanë nisur të mërkurën në mëngjes aksionin e quajtur  “Damask“, duke arrestuar 17 persona të lidhur me terrorizmin radikal islamik. Në Danimarkë, ndërkaq, për ndihmë grupit IS (Shteti Islamik) janë arrestuar dy gra dhe një burrë. 

Bota

03/09/2014 18:56

Sipas gazetës sarajevase Avaz, deri në këtë moment janë vënë nën kontroll 17 persona, kurse po bëhen bastisjet edhe në 17 lokacione në këtë republikë, ku është gjetur sasi e madhe armatimi. Aksioni është duke vazhduar.  

Të arrestuarit janë Bilall Bosniq, Hamdo Fojnica, Muhamed Xherahoviq, Emin Hoxhiq, Adem Karamuja, Mirza Kapiq, Safet Brkiq, Ibro Deliq, Eduard Turguti, Senad Hukiq, Enes Meshiq, Elvir Muratoviq, Sedin Huseinoviq, Fikret Zukiq, Avdullah Hasanoviq dhe Jasmin Jashareviq.

Të arrestuari dyshohen se kanë kryer vepra penale të financimit të terrorizmit, nxitjes dhe rekrutimit të xhihadistëve për luftën në Siri dhe Irak, si dhe organizim të grupeve terroriste. Disa prej tyre kanë marrë pjesë në luftime, në kuadër të ISIS, IDISH, Xhebhatun, al-Nusra e të tjera.

Sipas komunikatës së policisë, janë shoqëruar në polici edhe 15 persona të tjerë, të cilët kanë qenë në shoqëri të të arrestuarve (jo anëtarë familjarë) për të konstatuar arsyen e gjetjes së tyre në terren në momentin a arrestimeve.

Në Danimarkë, ndërkaq, janë arrestuar edhe tre persona për shkak të “ndihmës Shtetit Islamik”.

Policia e Danimarkës ka njoftuar se janë arrestuar dy gra dhe një burrë, të cilët grumbullonin ndihma për ISIS me shitje të etiketave për automjete, gjë që paraqet shkelje të ligjit mbi terrorizmin.

Hetuesi danez, Jens Moler Jensen tha se gjatë arrestimeve të tyre janë konfiskuar 100,000 korona daneze (18,000 dollarë).