Bosch: Procesi në Hagë ndaj Thaçit, Veselit, Selimit e Krasniqit, skandal e turp
Ish-ambasadori i Holandës në Kosovës, Robert Bosch, është shprehur shumë kritik ndaj Gjykatës Speciale të Kosovës në Hagë. Në një bisedë për emisionin Info Magazine, diplomati holandez tha se i gjithë procesi ka qenë “skandal” dhe “turp”. “Mendoj se i gjithë procesi ka qenë pak a shumë skandal, një turp, sepse ju e dini se…

Lajme
Ish-ambasadori i Holandës në Kosovës, Robert Bosch, është shprehur shumë kritik ndaj Gjykatës Speciale të Kosovës në Hagë.
Në një bisedë për emisionin Info Magazine, diplomati holandez tha se i gjithë procesi ka qenë “skandal” dhe “turp”.
“Mendoj se i gjithë procesi ka qenë pak a shumë skandal, një turp, sepse ju e dini se i gjithë procesi nisi kur kam qenë në Prishtinë si ambasador, nisi kur u publikua raporti i (senatorit zviceran, Dick) Martyt dhe gjithkush u befasua tmerrësisht për akuzat rreth trafikimit të organeve. Kjo ka qenë arsyeja mbi të cilën serbët arritën ta shtyjnë komunitetin ndërkombëtar për formimin e Gjykatës Speciale. Dhe nëse ato pretendime do të qëndronin, patjetër që do të ishte e tmerrshme prandaj ndërkombëtarët e mbështetën krijimin e Gjykatës”.
“Pas 2 vjetësh, (ish-kryeprorkurori i Speciale, Clint) Williamson, prokurori që hetoi këto pretendime, erdhi në përfundim se nuk kishte trafikim organesh por ka krime tjera që mund të jenë kryer. Por, sipas meje, nuk kishte kuptim të vazhdohej sepse një Gjykatë e tillë kushtonte shumë dhe do të duhet të krijohej vetëm për diçka të tmerrshme si trafikimi i organeve”, theksoi Bosch në këtë intervistë.
Ai thotë se meqë nuk kishim të bënim me trafikim organesh, do të duhej që çështjet të trajtohen brenda vendit sepse, siç u shpreh, “ju kishit EULEX-in, ndërkombëtarët dhe mund t’i mbanit gjykimet atje”.
Ish-ambasadori holandez tha se në botë ndodhin shumë gjëra të tmerrshme “dhe krijimi i Gjykatave Speciale dhe kaq të kushtueshme, mendoj se është e çuditshme”.
Bosch thotë se meqë tani nuk është më ambasador dhe mund të flasë çfarë të dëshirojë, “mendoj se kjo tashmë është kryer por gjithë këta prokurorë dhe gjyqtarë që duan të kenë punë që paguhet mirë, vetëm po e vazhdojnë, e vazhdojnë dhe vazhdojnë, por mendoj se në një situatë normale, e kjo për faj të politikanëve që e lejojnë këtë të vazhdojë sepse këto janë taksat e evropianëve që vazhdojnë të paguajnë për këtë Gjykatë”.
Sipas tij, nuk duhet pritur që Holanda të dalë kundër gjykatës sepse “me siguri fiton para që lejon që Gjykata të jetë e vendosur këtu, ma merr mendja”.