Bordi i Drejtorëve të AKP-së aprovoi shpalljen e valës së shitjeve përmes tenderit publik SHAL 73

Bordi i Drejtorëve të Agjencisë Kosovare të Privatizimit (AKP) ka mbajtur mbledhjen e rregullt, ku janë diskutuar dhe miratuar një sërë çështjesh me rëndësi për vazhdimin e proceseve të privatizimit dhe forcimin e qeverisjes institucionale. Në këtë mbledhje, Bordi aprovoi ndryshimet e Rregullores 03/2025 për qiradhënien e aseteve të Ndërmarrjeve Shoqërore, me qëllim rritjen e…

Lajme

22/05/2025 11:31

Bordi i Drejtorëve të Agjencisë Kosovare të Privatizimit (AKP) ka mbajtur mbledhjen e rregullt, ku janë diskutuar dhe miratuar një sërë çështjesh me rëndësi për vazhdimin e proceseve të privatizimit dhe forcimin e qeverisjes institucionale. Në këtë mbledhje, Bordi aprovoi ndryshimet e Rregullores 03/2025 për qiradhënien e aseteve të Ndërmarrjeve Shoqërore, me qëllim rritjen e efektivitetit në zbatim, forcimin e  mekanizmave të kontrollit dhe sigurimin  e një menaxhimi më të përgjegjshëm dhe të qëndrueshëm të të hyrave nga qiraja dhe të aseteve publike.

 

Kësisoj, Bordi shqyrtoi dhe miratoi propozimin e Menaxhmentit lidhur me aprovimin e investimeve në shumë prej 998,000.00 €,  në NSh Sharr Planina Brezovicë. Investimet përfshijnë: modernizimin dhe sanimin e teleferikëve dhe pajisjeve të skijimit, renovimin e Hotelit “Molika” dhe ambienteve akomoduese, implementimin e sistemeve moderne të pagesave dhe menaxhimit elektronik dhe zgjerimin e ofertës për turizmin veror.

 

Bordi po ashtu miratoi kërkesën e Komunës së Podujevës lidhur me largimin Njësisë nr. 45-KB Flora Tokë Bujqësore Pakashticë e Poshtme II dhe Njësisë 46  KB Flora Tokë Bujqësore Pakashticë e Poshtme III– nga ShAL 72 (Shitja e Aseteve përmes Likuidimit nr. 72), e cila mbahet me datë 28 maj 2025, sepse Komuna do të inicioj procedurat e shpronësimit për të kthyer në pronësi Komunale, e që konsiderohet me rëndësi dhe interes të përgjithshëm për Komunën. Në të njëjtën kohë, Bordi aprovoi valën e re SHAL 73 me 101 asete e cila do të publikohet së shpejti.

 

Duke u ndërlidhur me kërkesat e ndryshme të institucioneve Bordi në këtë mbledhje aprovoi kërkesën nga KRU “Hidromorava” SH.A. Gjilan për dhënien e pëlqimit për qëllime të lëshimit të lejes ndërtimore në kuadër të projektit “Flows” – rezervuari i ujit në parcelën P-70403054-00272-0, Zona Kadastrale Përlepnicë, pronë e NSh NSh Tefik Çanga. Aprovimi vlen për inicimin e procedurave të shpronësimit, ndërsa zbatimi mund të fillojë vetëm pas përfundimit të procedurave përkatëse në përputhje me Ligjin Nr.03/L-139 për Shpronësimin e Pronës së Paluajtshme.

 

Poashtu, Bordi miratoi kërkesën për qiradhënie direkte për kompaninë Kosmonte Foods Sh.p.k., për parcelat në pronësi të NSh “KB Drenica”, në bazë të vendimit të Qeverisë së Republikës së Kosovës të datës 22.09.2021, të cilin e ka validuar edhe Kuvendi i Kosovës më 08.02.2022, me ç’rast Kosmonte është shpallur investitor strategjik.

 

Në përmbyllje, Bordi trajtoi një numër çështjesh lidhur me shitjet direkte, ku shqyrtoi raporte  fillestare rekomanduese me rezultatet si në vijim: 14 kërkesa u aprovuan, 25 u refuzuan. Poashtu u miratuan 6 raporte përfundimtare, në të cilat është aprovuar çmimi i shitjes dhe është autorizuar vazhdimi  me procedurat e kontratës.