Bora në Prishtinë, Rugova: Shtresa prej 10 cm shënon rekord për muajin tetor

Fillimi i tetorit ka shënuar një rënie të ndjeshme të temperaturave, ndërsa në disa vende të Kosovës kanë pasur edhe reshje bore. Meteorologu Mendim Rugova ka thënë se reshjet e borës që kanë filluar më 3 tetor në Prishtinë, shënojnë datën më të hershme të regjistruar për reshje bore në këtë rajon. “3.10.2025 – Me…

Lajme

03/10/2025 09:30

Fillimi i tetorit ka shënuar një rënie të ndjeshme të temperaturave, ndërsa në disa vende të Kosovës kanë pasur edhe reshje bore.

Meteorologu Mendim Rugova ka thënë se reshjet e borës që kanë filluar më 3 tetor në Prishtinë, shënojnë datën më të hershme të regjistruar për reshje bore në këtë rajon.

“3.10.2025 – Me një shtresë prej 10cm borë, data e 3 tetorit është më e hershmja përgjatë muajit tetor në Prishtinë ku reshjet e dëborës formojnë një shtresë. Deri më tani 7 tetori i 2017-ës ishte dita më e hershme që bie borë në Prishtinë dhe formon shtresë, dhe atë vetëm prej 1cm”, thotë Rugova, përmes një postimi në Facebook.

Ai ka shkruar se kjo shtresë e sotme prej 10cm, është më e larta, pra rekorde për muajin tetor.

“Më 1997 e 2003 kishte pasur shtresa dëbore, por vetëm prej 4cm, dhe atë krejt nga fundi i tetorit, më 28 tetor 1997, dhe 27 tetor 2003. Patjetër që shkaku i topografisë së Prishtinës, trashësia e borës mund të ndryshojë, meqenëse në pjesë më të ulëta, shtresa mund të jetë më e ulët”, ka pohuar ai.

Moti me shi dhe reshje bore do të vazhdojë deri javën e ardhshme, ndërsa më pas pritet një rritje e temperaturave.