Bora mund ta befasojë ministrinë

Ngricat e borës pritët të sjellin probleme të mëdha në disa rrugë regjionale të rajonit të Mitrovicës. Kjo ngase nuk do të ketë kripe që të hidhet në to.

Lajme

07/12/2021 16:33

Rrugët nacionale dhe regjionale janë nën autoritetin e Ministrisë së Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës. Kjo ministri nuk ka arritur akoma të nënshkruaj një kontratë për mirëmbajtën e rrugëve në një pjesë të regjionit të Mitrovicës, shkruan lajmi.net.

Janë 177,25 kilometra rrugë nën përgjegjësinë e ministrisë në pjesën Mitrovica1.

Mal Lokaj – u.d i drejtorit në Departamentin për Menaxhimin e Rrugëve në Ministrinë e Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës ka thënë se kontrata për “Mitrovica 1” nuk është nënshkruar akoma për shkak të ankesave që kanë pas kompanitë garuese për këtë lot.

Ai tha se kontratat tjera për krejt vendin janë nënshkruar për rrugët që janë nën autoritetin e ministrisë.

“Nuk është nënshkruar ky lot i kësaj kontrate. Pasi ka pasur ankimime. Aktualisht, ankimimi është në Organin Shqyrtues të Prokurimit, dhe mungesa e Bordit të këtij institucioni po na sjellë shumë telashe”, tha shkurt për lajmi.net, Lokaj.

Nga ana tjetër, në një njoftim për media vetë ministria, para pak ditësh ka thënë se të gjitha rrugët po mirëmbahen.

“Sipas informacioneve nga tereni nga të gjithë menaxheret e autoudhëve (autostradave), rrugëve nacionale dhe rrugëve regjionale të Republikës së Kosovës, të gjitha rrugët janë të kalueshme për  qarkullim, pavarësisht konfiguracionit ku shtrihen ato. Kompanitë e kontraktuara për mirëmbajtje kanë intervenuar në orët e hershme të mëngjesit me pastrim dhe hudhje të kripës në shtresat qarkulluese të rrugëve. Në viset malore, nëse të reshurat janë të vazhdueshme, mund të ketë vështirësi! Apelojmë tek të gjithë ngasësit e makinave që të kenë kujdes më të shtuar gjatë vozitjes!”, ka thënë kjo ministri para pak ditëve në një komunikatë për media.

Rrugët lokale mirëmbahen nga komunat, sikurse edhe zonat brenda qyteteve. Ndërsa ministria nuk e ka specifikuar se cilat qytete bëjnë pjesë në Mitrovica 1, Skenderaj, Mitrovica apo Vushtrria.

Megjithëse, Lokaj thotë se janë nënshkruar të gjitha kontratat tjera, ne ueb-faqen e KRPP-së tek prokurimet e ministrisë nuk është ngarkuar asnjë njoftim që tregon se kontrata janë nënshkruar me ndonjë kompani, e as nuk figurojnë kontratat.

Në OSHP kanë qenë edhe disa ankesa tjera, lidhur më disa pjesë tjera të rrugëve, dhe ministria ka marr vendim pa u lëshuar një vendim nga ana e Panelit të këtij institucionit (ndonëse paneli nuk ekziston nga 30 Marsi 2021). Derisa ministria ka marrë vendim, nuk ka pas ankesa tjera, pos për regjionin Mitrovica 1.

Qeveria e re e nivelit qendror i ishte qasur zhurmshëm punëve. Me të marrë detyrën, Hysen Durmishi, zëvendësministër në Ministrinë e Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës- MMPHI kishte njoftuar se ishte anuluar procedura e prokurimit për projektin “Mirëmbajtja verore dhe dimërore e rrugëve nacionale dhe rajonale të Kosovës për vitet 2021-2024”. Me arsyetimin se ishin bërë favorizime dhe po kurseheshin shumë para, ministria shpalli ofertë të re. U shpallën edhe fituesit për tenderin që ishte ndarë në 14 lot për 6 rajonet e Kosovës.

Ministria e Infrastrukturës ka shpallur fituesit për tenderin “Mirëmbajtja verore dhe dimërore 2021, 2022” në rrugët nacionale dhe rajonale” në korrik të këtij viti, dhe më pas pati disa ankesa për favorizime ose shkelje nga ana e ministrisë. /Lajmi.net/