Bojkoti i marketeve, qytetarët: Nismë e mirë, por s’kemi “çare” pa blerë
Qytetarët kanë filluar t’i përgjigjen pozitivisht iniciativës “Kosova Bojkoton” për bojkotimin e supermarketeve si shkak i rritjes së çmimeve. Me rastin e Ditës Ndërkombëtare të Konsumatorit është bërë thirrje që sot të bojkotohen të gjitha marketet, si shenjë pakënaqësie ndaj çmimeve të larta të artikujve. Qytetarët vlerësojnë se një nismë e tillë duhet të merret…

Lajme
Qytetarët kanë filluar t’i përgjigjen pozitivisht iniciativës “Kosova Bojkoton” për bojkotimin e supermarketeve si shkak i rritjes së çmimeve.
Me rastin e Ditës Ndërkombëtare të Konsumatorit është bërë thirrje që sot të bojkotohen të gjitha marketet, si shenjë pakënaqësie ndaj çmimeve të larta të artikujve.
Qytetarët vlerësojnë se një nismë e tillë duhet të merret më seriozisht, në mënyrë që sado pak të ketë efekt.
Të njëjtën e pohojnë edhe nga iniciativa të cilët e kanë organizuar këtë lloj proteste.
Muhamet Tashevci thotë se ka përkrahur iniciativën “Kosova Bojkton”, derisa tregon se sot nuk do të vizitojë asnjë dyqan. Sipas tij, çmimet e gjërave ushqimore elementare kanë pësuar ngritje të madhe.
“Ne duhet të luftojmë çdo dukuri që është në dorën tonë dhe vetëdija duhet të ngrihet, që duhet reaguar çdo kund. Edhe në këtë rast është mirë të mos blihet, të bojkotohen. Ne të gjithë kemi familjarë jashtë vendit, disa artikuj janë më të lirë në Gjermani se këtu. Ku është standardi i tyre me neve. Nëse heshtim, atëherë po pajtojmë dhe miratojmë. Sot meqë është edhe Dita e Konsumatorëve, Kosova Bojkoton, a do të blini diçka sot? Jo, assesi. Nuk dua të rreshtohem me pasivët, injorantët. Nuk duhet qenë injorant ndaj dukurive që na përkasin të gjithëve…Pikërisht këto çka janë elementare vaji e këto, perime janë të shtrenjta, edhe dihet çfarë kualiteti janë, është tmerr”, shprehet Tashevci.
Ndërkaq, qytetari Adem Jashari potencon se një nismë e tillë është e qëlluar, porse ai nuk iu përmbajt, duke blerë një produkt vendor.
Sipas tij, iniciativa të tilla bëjnë presion edhe te pronarët e marketeve, që të ulin çmimet.
“Është një iniciativë e mirë, duhet bërë presion edhe tek qeveria edhe tek pronarët e marketeve. Mirëpo, duhet të jemi edhe më të vetëdijesuar si qytetarë që mos t’i dërgojmë mjetet tona nëpër shtete tjera, por të blejmë prodhime vendore… Çmimet, krahasuar me të ardhurat kosovare janë të ngritura…Në përgjithësi prodhimet janë të shtrenjta. Djathi vendor është pak i shtrenjtë se i importit. Unë jam për t’i favorizuar prodhimet vendore…A keni blerë diçka ju sot? Po, bleva kafe të Kosovës. Sot nuk e paskeni bojkotuar maketin? Është e Kosovës kjo”, thotë Jashari.
Nazif Dema thotë se nuk pati “qare” pa bërë disa blerje, derisa ankohet për çmimet e larta dhe praninë e produkteve serbe.
“Kam dalë të blej. Jeta më e shtrenjtë, ushqimi është.. Bukur shtrenjtë janë, edhe po ka produkte të Serbisë ende. Nëpër mini-markete po mbajnë nëpër markete, ia vendos flamurin e turkut mallit serb veç të shitet…Rritje çmimeve ka te vaji, sheqeri, kripa nuk është shtrenjtë, janë disa gjëra që nuk mund të qëndrosh pa to, gjëra elementare. Për një muaj nuk mund ta shtysh me gjëra ushqimore në 200-300 euro kurrë muajin. A i kanë të gjitha maketet çmimet e larta sipas juve? Të gjitha i kanë shtrenjtë, i lirojnë ndonjëherë po i kërkojnë kartelat, nuk e ke prapë ta vendos të njëjtin çmim. Sa iu beson aksioneve? Nuk iu besoj kurrë gati, shkon e merr ia ndërron çmimin, nuk e di çfarë bëjnë. Pse nuk i keni bojkotuar sot marketet? Nuk mund t’i bojkotosh se pa ngrënë nuk ke çare , si t’i marrë ndryshe…Duhet të lirohen, ia kanë bërë shtrenjtë…I vizitoj të gjitha marketet, ku të gjejë më lirë, aty i marr”, tha Dema.
Ndërkaq, anëtari i iniciativës “Kosova Bojkoton”, Xhevat Kastrati thotë se është vërejtur vetëdijesim i qytetarëve për t’iu përgjigjur pozitivisht thirrjes për bojkot ndaj siç i quan ai mashtrimeve në çmime.
Ai tregon se kanë angazhuar ekipe për të parë sa po gjen zbatim thirrja për bojkot, derisa shton se do të ketë aktivitete të tjera të llojit të tillë.
“Paradite e kemi parë që nuk ka pasur shumë qarkullim, së paku çka kemi mundur të vërejmë prej angazhimit tonë nëpër terren. Mirëpo, nuk kemi të dhëna të sakta. Po shpresojë që i marrim prej Agjensionit të Statistikave. Kemi menduar tu dërgojmë një e-mail dhe të kërkojmë prej tyre… Çka është duke ndodhur, që mundemi me marrë si sukses, është se shumë e më shumë qytetarë janë duke u vetëdijesuar për iniciativën dhe mashtrimet që po ndodhin në çmim… Do të kemi aktivitete të tjera, që bëjnë thirrje për normalizim të çmimeve, ndoshta takim edhe me organet kompetente dhe aktivitetet e tjera shtesë”, tha Kastrati.
Kjo iniciativë ka filluar në Kosovë para rreth një muaji, ku të qytetarë të disa vendeve të Ballkanit Perëndimor u ftuan t’i bojkotojnë më 31 janar blerjet në disa dyqane të mëdha ushqimore.
Një iniciativë e tillë ka filluar në Kroaci dhe është përhapur në Bosnje e Hercegovinë, Mal të Zi dhe në Maqedoninë e Veriut.