Bojkoti i futbollit në Shqipëri, reagojnë për herë të parë FIFA e UEFA
Sezoni i ri futbollistik në Shqipëri nuk ka filluar, pasi Liga Profesioniste, e mbështetur edhe nga FSHF-ja, ka nisur një bojkot pa afat, deri në plotësimin e 4 kushteve nga ana e qeverisë shqiptare.
Sport
Letra me 4 kushtet është në tavolinën e kryeministrit Edi Rama, i cili në daljen e fundit për këtë çështje u shpreh se bojkoti nuk e shqetëson aspak dhe se është i bindur që ka bërë mjaftueshëm për futbollin në vend.
Kur po bëhet rreth një muaj nga nisja e bojkotit, kanë reaguar për herë të parë zyrtarisht edhe dy institucionet madhore drejtuese të futbollit, UEFA dhe FIFA, të cilat kanë mbështetur kërkesën e klubeve në një letër drejtuar Sekretarit të FSHF-së, Ilir Shulku.
Dy organet drejtuese të sportit më popullor në botë shprehen se janë pro kërkesave të klubeve dhe se inkurajojnë gjetjen e një marrëveshjeje me qeverinë shqiptare, me qëllim që topi të fillojë të lëvizë përsëri.
Ja letra e plotë:
I dashur Sekretar i Përgjithshëm,
Jemi vënë në dijeni të letrës suaj të datës 21 shtator 2020 në lidhje me situatën e Kategorisë Superiore në Shqipëri dhe vendimin për të bojkotuar nisjen e sezonit 2020/21.
Ne e kuptojmë se ky vendim, i cili mbështetet nga FSHF, vjen si pasojë e refuzimit aktual të Qeverisë shqiptare për të miratuar një sërë reformash kryesore në kuadrin ligjor, që prek klubet e futbollit profesionist në vendin tuaj.
Siç e dini, FIFA dhe UEFA në përgjithësi inkurajojnë krijimin e një kuadri rregullator kombëtar gjithëpërfshirëse, që mbështet zhvillimin e futbollit në të gjitha nivelet. Rëndësia e ruajtjes së një marrëdhënieje të ngushtë dhe konstruktive të punës midis organeve të futbollit dhe autoriteteve qeveritare (në përputhje me të drejtat dhe përgjegjësitë e tyre përkatëse) nuk ka nevojë të mbivlerësohet. Kjo vlen veçanërisht për sfidat e pashembullta që ka përjetuar futbolli si rezultat i ndikimeve të COVID-19. Këto sfida kërkuan – dhe vazhdojnë të kërkojnë – një nivel të jashtëzakonshëm bashkëpunimi.
FIFA dhe UEFA nxisin qeverinë shqiptare dhe FSHF-në të gjejnë zgjidhje të arsyeshme dhe të përshtatur për kërkesat e klubeve shqiptare të futbollit në mënyrë që sezoni të fillojë pa shtyrje të mëtejshme. Në këto kohë të vështira, fuqia e futbollit për të sjellë gëzim, frymëzim dhe shpresë për njerëzit duhet të mbështetet plotësisht.
Së fundmi, ne e shfrytëzojmë këtë mundësi për t’i dhënë një vlerësim të veçantë sukseseve të fundit të FSHF-së në fusha shumë të rëndësishme si zhvillimi i futbollit të fëmijëve, infrastruktura, futbolli i femrave, zhvillimi teknik dhe menaxhimit të mirë.
Ne shpresojmë të punojmë ngushtësisht me ju për të mbështetur edhe më tej zhvillimin e futbollit në Shqipëri. Ju mund të mbështeteni në mbështetjen tonë absolute për përpjekjet tuaja.
Ne qëndrojmë në dispozicionin tuaj të plotë nëse keni nevojë për ndonjë ndihmë të mëtejshme.