Blloku opozitar e quan qesharak hetimin që po bëhet nga Prokuroria

Tri partitë opozitare, Lëvizja Vetëvendosje, AAK dhe Nisma konsiderojnë se njoftimet që Prokuroria e shtetit po kryen hetime në sallën e Kuvendit, janë qesharake.

Lajme

15/10/2015 12:31

“Ato kanë për qëllim që t’i frikësojnë deputetët e opozitës, por iu bëjmë me dije se kjo nuk do të kalojë”.

“As futja e policisë në ndërtesën e Kuvendit, kjo me urdhër të Kryetarit të Kuvendit, e as hetimet qesharake të policisë, nuk mund ta zgjidhin këtë situatë jo-normale të shkaktuar nga Qeveria dhe nënshkrimet e kryeministrit”, thuhet në komunikatë.

Ndërhyrja e prokurorisë dhe policisë në Kuvendin e Kosovës është instrumentalizim i këtyre institucioneve për të shtypur opozitën. Ky veprim flet për tentimin e pushtetit që të shndërrohet në pushtet autoritar që situatat e vështira t’i zgjidhë vetëm përmes ndërhyrjes policore.

Ky vend ka ardhur në një situatë kur duhet t’u japë zgjidhje dy marrëveshjeve që e kanë sjellë vendin këtu ku është, e vetëm pastaj t’i rikthehemi normalitetit dhe jetës institucionale pozitë-opozitë.

“Situata e krijuar kërkon reflektim dhe përgjegjësi politike, e jo aksione policore e farsë hetimore”, thuhet më tej.