Blloku “ftohet” pas reklamave
Debati në mes të dy përfaqësuesve të partnerëve të Bllokut, LDK-së dhe AAK-së, Lutfi Haziri dhe Besnik Tahiri ishte më i ashpër në pjesën e parë të emisionit “Zona e Debatit” në Klan Kosova. Por, si duket disponimi i tyre ndërroi pas bllokut të reklamave.
Lajme
Ata u frikësuan që debati i tyre do të përkeqësojë raportin e dy parterëve dhe vendosën që të merren me akuza ndaj PDK-së.
Lutfi Haziri në pjesën e parë të emisionit tha se marrëveshja e 10 qershorit nuk mund të zbatohet, andaj edhe AAK-ja duhet të pranojë mendimin ndryshe, se ata tashmë po kërkojnë të udhëheqin me qeverinë.
Ndërkaq, Besnik Tahiri tha se marrëveshja e 10 qershorit duhet të respektohet.
Pas bllokut të reklamave, Haziri dhe Tahiri të vetëdijshëm për ndjeshmërinë e debatit dhe pasojat që do të mund t’i sillte ecurisë politike të Bllokut, i thirrën mendjes dhe filluan ta zbusin nivelin e debatit.
Ishte Haziri ai i cili menjëherë pas kësaj pauze filloi me kritika ndaj PDK-së, duke anashkaluar rrjedhën e debatit e cila më parë kishte një kahe tjetër.
Ai tha se LDK është duke e ruajtur Bllokun dhe se kur ishte nënshkruar marrëveshja e LAN-it, parimi kryesor ka qenë që kjo marrëveshje ose do të impelementohet e tëra ose nuk ka gjasa të impelementohet.
“Po krijohet perceptimi që blloku ka vështirësi gjë që nuk qëndron. Ka debat ka bisedime, grupet punuese çdo ditë punojnë. Ajo që është vështirësi është zbatimi i aktgjykimit të Gjykatës Kushtetuese. Në ditën e premtes së madhe kur liderët vendosën të votojnë kandidatin e kuvendit, LDK-ja është takuar, sepse ne më se kemi vendin e kryetarit të Kuvendit. Ne jemi për të ruajtur koalicionin dhe për të biseduar për përgjegjësitë e saj brenda kësaj marrëveshje. Marrëveshja ose implementohet në tërësi ose nuk implementohet”.
“Po vazhdojmë ta ruajmë dhe po angazhohemi për këtë koalicion”.
“Kur jemi bërë bashkë parimi kryesor ka qenë që blloku ta implementoj marrëveshjen. Kosovës i duhet një qeverisje me shumicë shqiptare, e cila ka me qenë stabile. Koalicioni paszgjedhor ka fuqi ta kontroll situatën nëse arrijnë të ruaj kauzën se pse u bë bashkë. Por gjithsesi ka se kompromise, duhet bërë kompromise”.
Ndërkaq, Tahiri tha se pavarësisht se brenda Bllokut po flitet për çështjen e kryeministrit, kjo gjë nuk do të thotë se është fundi i këtij koalicioni paszgjedhor.
Ai madje tha se paniku është tek PDK-ja e cila nuk po e thërret seancës.
“Ka një komunikim rreth disa parimeve dhe çështjeve që lidhen me pozicionin e kryeministrit por nuk qëndron fakti se është fundi i bllokut dhe se blloku do të shpërthej”.
“Në fakt kriza dhe paniku është te PDK dhe kjo justifikohet me faktin se tash e sa javë e sa muaj nuk thirret seanca. Mosthirrja e seancës është drejtpërdrejtë një dhunim i vendit, në aspektin juridik”, tha ai.