Bllokohet për qarkullim rruga magjistrale Ferizaj-Gjilan pas reshjeve të dendura të shiut

Policia e Kosovës ka njoftuar se rruga magjistrale Ferizaj-Gjilan, në fshatin Dardani, është bllokuar plotësisht për qarkullimin e automjeteve për shkak të reshjeve të mëdha të shiut dhe grumbullimit të ujit në këtë zonë. Sipas njoftimit të Drejtorisë Rajonale të Policisë në Ferizaj, situata është krijuar pas reshjeve intensive që kanë përfshirë fshatrat Dardani, Ramjan…

Lajme

01/07/2026 17:42

Policia e Kosovës ka njoftuar se rruga magjistrale Ferizaj-Gjilan, në fshatin Dardani, është bllokuar plotësisht për qarkullimin e automjeteve për shkak të reshjeve të mëdha të shiut dhe grumbullimit të ujit në këtë zonë.

Sipas njoftimit të Drejtorisë Rajonale të Policisë në Ferizaj, situata është krijuar pas reshjeve intensive që kanë përfshirë fshatrat Dardani, Ramjan dhe Zllatar.

“Ju njoftojmë se, për shkak të reshjeve të mëdha të shiut që kanë rënë në fshatrat Dardani, Ramjan dhe Zllatar, rruga magjistrale Ferizaj-Gjilan, në fshatin Dardani, nga sasia e madhe e ujit, është e bllokuar plotësisht për qarkullimin e mjeteve, deri në një njoftim tjetër”, thuhet në njoftimin e Policisë.

Autoritetet u kanë bërë thirrje drejtuesve të automjeteve që të përdorin rrugët alternative deri në normalizimin e situatës.

“Lusim shoferët e automjeteve që të përdorin rrugën alternative: nga drejtimi Ferizaj-Gjilan, të përdorin rrugën e fshatit Zllatar, ndërsa nga drejtimi i Gjilanit në drejtim të Ferizajt, të përdorin rrugën Dardani-Zllatar, rruga skaj kompanisë ‘Metali i Ri'”, thuhet më tej në njoftim.

Policia ka bërë të ditur se njësitet policore ndodhen në vendin e ngjarjes dhe po bëjnë orientimin e trafikut, ndërsa u ka bërë thirrje qytetarëve që të tregojnë kujdes të shtuar gjatë qarkullimit.