Bllokada institucionale në vend, Osmani do t’i ftojë në takim liderët e partive politike

Bllokada institucionale në Kosovë është duke vazhduar, pavarësisht takimeve që pati thirrur presidentja Vjosa Osmani me liderët e partive politike- e po ashtu pavarësisht takimit që mbajti kreu i Vetëvendosjes, Albin Kurti të shtunën. Këto takime madje po shihen si takime të rregullta, e që nuk sollën asnjë rezultat. Por siç duket presidentja Osmani po…

Lajme

30/06/2025 12:37

Bllokada institucionale në Kosovë është duke vazhduar, pavarësisht takimeve që pati thirrur presidentja Vjosa Osmani me liderët e partive politike- e po ashtu pavarësisht takimit që mbajti kreu i Vetëvendosjes, Albin Kurti të shtunën.

Këto takime madje po shihen si takime të rregullta, e që nuk sollën asnjë rezultat.

Por siç duket presidentja Osmani po tenton ta “provojë fatin” edhe një herë që t’i përafrojë gjërat.

Osmani do t’i ftoj liderët e partive politike në takime gjatë ditëve në vazhdim.

Kjo është konfirmuar për lajmi.net edhe nga këshilltari për media i presidentes Osmani, Bekim Kupina.

“Presidentja pret që partitë e përfaqësuara në Kuvend ta zbatojnë Aktgjykimin e Gjykatës Kushtetuese dhe ta përfundojnë seancën konstituive brenda 30 ditësh, siç ka kërkuar Gjykata”, deklaroi ai.

Kupina theksoi se nëse paraqitet nevoja, Osmani mbetet e gatshme t’i drejtohet Gjykatës Kushtetuese për sqarime shtesë.

Dje për të 38-ën herë me radhë në Kuvendin e Kosovës dështoi konstituimi.

Pavarësisht se deputetët u mblodhën, nuk u arrit asgjë dhe kësisoj Kuvendi vazhdon të jetë i bllokuar, e po ashtu pamundësohet edhe formimi i Qeverisë së re të Kosovës./Lajmi.net/