Blinken paralajmëron Kinën për mbështetjen që i jep Rusisë

Sekretari amerikan i Shtetit, Antony Blinken tha se Uashingtoni është, siç tha ai, “plotësisht i përgatitur” për të vendosur sanksione kundër mbështetjes së Kinës për industrinë ruse të mbrojtjes. Siç njofton korrespondenti i Zërit të Amerikës, William Gallo, komentet e zotit Blinken u bën pas takimit që pati sot në Pekin me presidentin kinez Xi…

Bota

27/04/2024 08:27

Sekretari amerikan i Shtetit, Antony Blinken tha se Uashingtoni është, siç tha ai, “plotësisht i përgatitur” për të vendosur sanksione kundër mbështetjes së Kinës për industrinë ruse të mbrojtjes. Siç njofton korrespondenti i Zërit të Amerikës, William Gallo, komentet e zotit Blinken u bën pas takimit që pati sot në Pekin me presidentin kinez Xi Jinping.

Marrëdhëniet SHBA-Kinë mund të jenë stabilizuar, por nuk mungojnë mosmarrëveshjet që duhet trajtuar, siç u bë e ditur pas takimit që u mbajt të premtën në mes të Sekretarit të Shtetit Antony Blinken dhe presidentit kinez Xi Jinping.

Për zotin Blinken, prioritet kryesor është ndalimi i mbështetjes së Pekinit për luftën e Rusisë në Ukrainë.

“I thashë zotit Xi, nëse Kina nuk e trajton këtë problem, ne do ta bëjmë këtë”, tha zoti Blinken.

Shtetet e Bashkuara nuk e akuzojnë Kinën për furnizim të drejtpërdrejtë të Rusisë me armë.

Zyrtarët amerikanë thonë se Kina po dërgon pajisje, përfshirë mikroprocesorë dhe pajisje të tjera, që shfrytëzohen për prodhimin e armëve ruse.

Sekretari Blinken tha se Uashingtoni mund të miratojë sanksione për të ndaluar këtë bashkëpunim. Por analistët thonë se kjo mund të jetë e ndërlikuar.

“Pajisjet për të cilat bëhet fjalë vështirë se mund të kontrollohen. Ato mund të eksportohen duke shfrytëzuar arsyetime që duken krejtësisht legjitime me partnerë legjitimë biznesi”, tha për Zërin e Amerikës, Ian Chong nga Universiteti Kombëtar i Singaporit.

Një mundësi që Uashingtoni mund ta shfrytëzojë për të penguar këtë bashkëpunim është përjashtimi i bankave të mëdha kineze nga sistemi financiar amerikan.

“Kjo unë mendoj se do të kishte ndikim shkatërrues për tregtinë SHBA-Kinë. Mund të jetë e mundur të vihen në shënjestër banka më të vogla që kanë një interes më të drejtpërdrejtë në Rusi”, thotë zoti Chong.

Kina mbron tregtinë e saj me Rusinë, duke thënë se ajo është e angazhuar vetëm në shkëmbime normale ekonomike. Pak presin që Kina të bëjë lëvizje të mëdha në përgjigje të kërcënimit me sanksione nga Shtetet e Bashkuara.

“Trysnia po bëhet që Partia Komuniste të veprojë, por nuk mendoj se Partia Komuniste synon apo ka ndonjë motiv që të tregohet më e ashpër me Rusinë”, thotë për Zërin e Amerikës, Ian Chong nga Universiteti Kombëtar të Singaporit.

Presidenti Xi tha se Shtetet e Bashkuara nuk duhet të marrin masa ndëshkuese ndaj ekonomisë së Kinës.

“Ndërsa dialogu Kinë-SHBA vazhdon të rritet, menaxhimi i dallimeve dhe promovimi i bashkëpunimit, nuk është vetëm një aspiratë e dy popujve tanë, por diçka që pjesa tjetër e botës e pret. Bota është e madhe, ka vend si për zhvillimin e SHBA-së edhe Kinës”, tha ai.

Bisedimet u përqendruan edhe në çështje të tjera, përfshirë Tajvanin dhe Detin e Kinës Jugore si edhe të drejtat e njeriut dhe prodhimin e opioideve. Por, çështja e përkrahjes që Pekini po i jep industrisë së mbrojtjes të Moskës mund të dëmtojë më tej marrëdhëniet SHBA-Kinë të cilat sapo kanë filluar të stabilizohen. /VOA