Blerim Sallahu provon t’i japë instruksione Gjykatës: Duhet ta autorizojë Presidenten t’i shpallë zgjedhjet
Blerim Sallahu i Vetëvendosjes, që sapo u emërua ministër në detyrë, ka tentuar t’i japë instruksione Gjykatës Kushtetuese se çfarë vendimi duhet të marrë për ngërçin në Kuvend, duke i treguar se i ka “dy zgjidhje kushtetuese”. “Gjykata Kushtetuese i ka dy zgjidhje kushtetuese”, shkroi në krye të tekstit që e publikoi në Facebook juristi…

Lajme
Blerim Sallahu i Vetëvendosjes, që sapo u emërua ministër në detyrë, ka tentuar t’i japë instruksione Gjykatës Kushtetuese se çfarë vendimi duhet të marrë për ngërçin në Kuvend, duke i treguar se i ka “dy zgjidhje kushtetuese”.
“Gjykata Kushtetuese i ka dy zgjidhje kushtetuese”, shkroi në krye të tekstit që e publikoi në Facebook juristi i Vetëvendosjes.
“E para, Gjykata Kushtetuese mbi bazën e nenit 67 par. 4 të Kushtetutës duhet të vlerësojë qartë se refuzimi i Listës Serbe për ta propozuar kandidatin nga radhët e saj për nënkryetar të Kuvendit, nënkupton që ky subjekt politik ka hequr dorë nga kandidati i tyre për nominim për nënkryetar të Kuvendit dhe si i tillë Kuvendi i Kosovës tashmë e ka përmbyllur fazën kushtetuese të konstituimit të vet”.
Një situatë e ngjashme është, sipas Sallahut, është përcaktuar edhe në aktgjykimin e Gjykatës Kushtetuese për krijimin e qeverisë ku mosparaqitja e mandatarit është vlerësuar si humbje e të drejtës kushtetuese për ta paraqitur mandatarin nga subjekti politik që i ka fituar zgjedhjet.
“E dyta, meqë Kuvendi i Kosovës tashmë ka ezauruar edhe procedurën e shortit të përcaktuar në Rregulloren e Kuvendit nga tri herë për secilin kandidatë, atëherë aktgjykimi i mëparshëm i Gjykatës Kushtetuese është ekzekutuar në tërësi, ku në mungesë të vullnetit të deputetëve për të konstituuar Kuvendin, Gjykata Kushtetuese duhet t’i jap autorizim Presidentes së vendit që t’i shpall zgjedhjet e jashtëzakonshme duke u bazuar në nenin 82 të Kushtetutës sipas analogjisë”.
Sallahu në fund përsëriti atë që tashmë e kanë thënë disa bashkëpartiakë të tij e që tentojnë të thonë se Gjykata Kushtetuese me një vendim tjetër pos atyre që po e udhëzon Vetëvendosje, do të bëjë Listën Srpska, që u ankua në Kushtetuese, hisedare.
“Secili vendim tjetër, në formë kundërkushtetuese Republikën tonë e bën të varur nga një subjekt politik i cili çdo ditë minon rendin kushtetues të vendit tonë”.