Blerim Reka: Shqiptarët nuk do të lejojnë një Maqedoni ruse
Profesori i së Drejtës Evropiane, njëherësh ish-ambasador i Maqedonisë në Bruksel, Blerim Reka duke komentuar situatën politike në Maqedoni ka thënë se shqiptarët nuk do të lejojnë krijimin e një Maqedonie ruse.

Lajme
Ai në një intervistë për lajmi.net ka thënë se vendimi i presidentit maqedon, George Ivanov për të mos i dhënë mandatin për formimin e Qeverisë subjekteve që kanë shumicën në Kuvend është i gabuar si në aspektin juridik ashtu edhe në atë politik e gjeopolitik.
Sipas profesorit Reka, presidenti Iavnov me këtë vendim është afruar më shumë me Rusinë dhe ka injoruar kërkesën amerikane që mandati për formimin e Qeverisë t’i jepet atyre që kanë votat e nevojshme për konstituimin e institucioneve, transmeton Lajmi.net
Më tej, ai ka thënë se Ivanovit sikur deshi të luaj me durimin e shqiptarëve duke i provokuar, por Reka ka theksuar nevojën që shqiptarët të dëshmojnë pjekuri maksimale që të mos instrumentalizohen për skenarët dhe agjendat e huaja. Destabilizimi i Maqedonisë dhe i Ballkanit sipas Rekës, nuk është në interes të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, por në interes të Rusisë.
Lajmi.net: Si e vlerësoni vendimin e presidentit Ivanov?
Reka: Vendimi i tij është i gabuar për së paku 3 arsye: Juridikisht; sepse është një vendim kundërkushtetues, sepse ai tejkaloi kompetencat presidenciale që ia jep Kushtetuta. Politikisht; është i rrezikshëm, sepse akuzoi kombin shqiptar si tërësi, duke ri-hapur urrejtjen ndëretnike. Gjeopolitikisht; afroi edhe më tepër Maqedoninë pro Rusisë. Pra dy ditësh “Stejt Departamenti Amerikan” qarta kërkoi që ai t’i jepte mandatin 67 deputeteve dhe ai në vend të kësaj vazhdoi me përmbushjen e kërkesës së MPJ-së të Rusisë që Qeverinë duhet ta formojnë VMRO dhe BDI. Me fjalë të tjera ky vendim do e fut Maqedoninë në krizë të thellë jo vetëm të brendshme por edhe me implikime rajonale. Pas humbjes së Malit të Zi dhe mbetjes vetëm me Serbinë, Maqedonia kështu mbetet stacioni i fundit ballkanik i shpresës për Moskën. Mirëpo ai harron një fakt kyç për cilindo analizë serioze gjeopolitike: Shqiptarët që janë 30 përqind të popullatës së Maqedonisë dhe që janë në anën tjetër të së paku 2/3 të kufijve të saj shtetëror, nuk do të lejojnë një Maqedoni Ruse.
Lajmi.net: A po thellohen problemet etnike ne Maqedoni?
Reka: Ato asnjëherë nuk kanë qenë siç duhej të ishin. Vetëm se janë menaxhuar me kujdes me ndihmën e komunitetit Euro-Atlantik tash e 25 vjet nga pavarësimi i Maqedonisë nga ish-Jugosllavia. Fjalimi i tij i djeshëm sikur deshi të luaj me durimin e shqiptarëve duke i provokuar; por mbaj shpresën se shqiptarët do të dëshmojnë pjekuri maksimale që të mos instrumentalizohen për skenarët dhe agjendat e huaja. Fundja shqiptarët ishin dhe mbeten kombi me pro-amerikan në Ballkan, në mos në botë dhe aktualisht destabilizimi i Maqedonisë e as i Ballkanit nuk është në interesin amerikan.
Lajmi.net: Çfarë duhet të bëjnë shqiptarët?
Reka: Këtu duhet të bëjnë dallim të qartë midis elektoratit shqiptar dhe elitës politike shqiptare. Shqiptarët si popull në Maqedoni e bënë atë që duhej ta bënin: ndëshkuan elitat politike shqiptare me rezultatin elektoral dhe njëkohësisht krijuan këtë situatë që asnjë parti maqedonase të mos krijoj Qeverinë pa votat shqiptare. Elektorati shqiptar u dëshmua me i pjekuar se elitat politike shqiptare, të cilat kalkuluan gjatë politikisht. Sikur ato të ishin më të sinqerta dhe më vizionare nuk do e shpinin situatën në të cilën jemi.
Lajmi.net: A duhet të jenë më aktive Shqipëria dhe Kosova për çështjen shqiptare në Maqedoni?
Reka: Shqipëria dhe Kosova ishin aktive dhe si dy shtete sovrane dhe fqinjë të Maqedonisë, ishin korrekte, mirëdashëse dhe parimore ndaj shtetit të Maqedonisë. Mirëpo më duhet ta them se elitat shtetërore si në Shqipëri ashtu edhe në Kosovë, me vite parapëlqyen struktura të caktuara politike shqiptare, ndonëse e dinin ose paku duhej ta dinin si shtete, se ku e shpinte popullin shqiptar ai lidership politik shqiptar. Nëse partitë politike shqiptare ishin tërë këto vite në pushtet: si kur duhej bindje dhe presion i madh ndërkombëtar për ta njoh ndër të fundit Republikën e Kosovës; për të inauguruar si të fundit me Kosovën regjimin e kalimit të kufirit me letërnjoftime; kur ndonëse ishin pjesë e Qeverisë asnjëherë nuk mbajtën mbledhje të përbashkët qoftë me Qeverinë e Shqipërisë qoftë me atë të Kosovës; ishin pjesë e Qeverisë e cila as sot e kësaj dite nuk aplikoi sanksione kundër Rusisë, etj? Dhe establishmenti shtetëror në Shqipëri dhe në Kosovë nuk i dinin këto? /Lajmi.net/