Blerim Isufaj flet për hetimet ndaj Ambasadorit Martin Berishaj: Afatet kohore janë të përcaktuara me ligj, nuk do t’i shkelim

Kryeprokurori i Prokurorisë Speciale të Kosovës, Blerim Isufaj, ka thënë se rasti i ambasadorit Martin Berishaj është ende në hetim dhe për këtë arsye nuk mund të komentojë përmbajtjen apo ecurinë e procedurës. Ai i bëri këto deklarata në emisionin “KallxoPërnime”, kur u pyet lidhur me pretendimet se Berishaj ka marrë 900 mijë euro. Por,…

Lajme

28/07/2025 00:00

Kryeprokurori i Prokurorisë Speciale të Kosovës, Blerim Isufaj, ka thënë se rasti i ambasadorit Martin Berishaj është ende në hetim dhe për këtë arsye nuk mund të komentojë përmbajtjen apo ecurinë e procedurës.

Ai i bëri këto deklarata në emisionin “KallxoPërnime”, kur u pyet lidhur me pretendimet se Berishaj ka marrë 900 mijë euro.

Por, detaje nuk dha, duke thënë se rastet qe po trajtohen nuk mund t’i komentojë.

“Të kisha rekomandu me dalë prej kësaj teme, se rastet që i kemi në hetim dhe trajtim nuk mund t’i komentojmë”- tha Isufaj.

Përballë insistimeve për kohën e zgjatur të hetimeve dhe mungesën e epilogut, kryeprokurori theksoi se afatet janë të përcaktuara me ligj dhe nuk do të tejkalohen:

“Duhet me pritë, afatet kohore janë të përcaktuara me ligj, ato nuk do t’i shkelim” – deklaroi kryeprokurori special.

Gjatë intervistës u përmend edhe tregu i energjisë dhe kontratat për shitblerjen e saj, për të cilat ka pasur diskutim publik dhe shqetësime të ngritura më herët.

Isufaj konfirmoi se Prokuroria Speciale ka ndërmarrë veprime konkrete në këtë drejtim.

“Por ju e dini se një aktakuzë për shitblerje të energjisë e kemi ngritur. Në fakt i kemi dy aktakuza për KEK-un. Janë duke u trajtu në Gjykatë, ta shohim epilogun” – tha ai.

Nëse do të ketë hetime apo aktakuza të reja për kontratat që janë nënshkruar pas këtyre rasteve, ai u shpreh se një gjë e tillë është e mundshme, por nuk mund të konfirmohet për momentin:

Po natyrisht që mund të ketë, por nuk mund ta them me saktësi tash” – përfundoi Blerim Isufaj./Kallxo.com