Blerësit e banesave pësojnë nga papërgjegjësia komunale

Komunat në Kosovë po i mbajnë peng qytetarët dhe ndërtuesit. Ato po lëshojnë leje të ndërtimit, por nuk po ua njohin pronarët këtyre banesave. Kjo pasi, nuk po e bëjnë pranimin teknik të ndërtesave dhe banesat nuk po mund të regjistrohen në Kadastër. Më së keqi është në Prishtinë.

Lajme

03/03/2019 12:08

Komunat në Kosovë, viteve të fundit po lëshojnë leje të ndërtimit më shumë, por kanë ngecur në procesin e lëshimit të certifikatës së përdorimit, duke u shkaktuar kështu probleme qytetarëve që kanë blerë banesa.

Certifikata e përdorimit është një dokument i lëshuar nga organet kompetente të komunës me të cilën vërtetohet se ndërtimi është i përshtatshëm për përdorim dhe qytetarët mund të jetojnë aty. Mirëpo, me moslëshimin e certifikatave të përdorimit (pranimit teknik), po dëmtohen qytetarët që po blejnë banesa, pasi kështu këto prona nuk mund të regjistrohen në kadastër dhe rrjedhimisht as nuk mund të futen në hipotekë.

Banesat që nuk kanë certifikatë të përdorimit mund të shiten vetëm njëherë nga ndërtuesi dhe pronari i tokës me parakontratë të noterizuar. Shitja e tyre nuk mund të bëhet më deri në pranimin teknik të tyre. Kjo po i bllokon ekonomitë familjare në qarkullimin  mjeteve të tyre. Problemi më i madh është tek çiftet e reja, se nuk po mund t’i fusin ato në hipotekë.

Në Komunën e Prishtinës nuk kanë dashur të tregojnë se sa objekte të ndërtimit janë pajisur me certifikatë të përdorimit vitin e kaluar dhe pse ka ngecur ky proces.

Lajmi.net ka kërkuar përgjigje edhe nga drejtori i Inspektoratit të Komunës së Prishtinës, Adonis Tahiri mbi të cilin bie përgjegjësia e pranimit teknik të ndërtesave, por ai nuk ka dhënë përgjigje. Më pas, ai ka shkruar në rrjetin social facebook për këtë problem. Ka thënë se ekipi përgjegjës ka inspektuar edhe tri objekte të tjera, pronarët e të cilave kishin aplikuar për inspektim final dhe certifikatë të përdorimit (ish-pranimi teknik). “Meqë në vazhdimësi ka kërkesa nga qytetarët për t’u informuar për këtë proces, gjatë javës së ardhshme do t’i publikojmë listat e atyre që kanë aplikuar deri tash (për objektet kolektive), me shpjegime për fazën në të cilën gjenden. Ka raste që kanë përfunduar me sukses, por ka edhe refuzime”, ka shkruar Tahiri në facebook.

Lajmi.net mëson se vetëm vitin e kaluar janë lëshuar rreth 200 leje të ndërtimit nga Komuna e Prishtinës, nga to rreth 60 leje për ndërtime të larta, kurse janë lëshuar vetëm 10 certifikata të përdorimit.

Marrë në tërësi nga vitit 2001 e deri sot janë lëshuar mbi 1000 leje ndërtimi, e prej tyre rreth 50 kanë leje përdorimi.

Fushë Kosova më mirë se kryeqyteti

Pos Prishtinës, një bum ndërtimesh po ndodhinë dhe në Ferizaj e Fushë Kosovë. Zyrtarët komunal të Ferizajt nuk kanë dashur të flasin për këtë proces.

Zëdhënësi i Komunës së Fushë Kosovës, Ali Topalli ka thënë për lajmi.net se janë lëshuar disa certifikata të përdorimit në vitin e kaluar për ndërtesat që kanë pasur leje të dertimit. Ai ka treguar edhe për numrin e lejeve të dertimit që ka lëshuar kjo komunë në dy vitet e fundit.

“Ne vitin 2017 janë lëshuar 18 Certifikata Përdorimi dhe 41 Leje Ndërtimore. Në vitin 2018 janë lëshuar 19 Certifikata Përdorimi dhe 38 Leje Ndërtimore”, tha Topalli për lajmi.net.

“Komunat nuk kanë kuadro profesional”

Anëtari i Shoqatës së Ndërtuesve dhe Prodhuesve të Materialit Ndërtimor të Kosovës, Brahim Selimaj thotë se Komunat nuk kanë kuadro të përgatitura për të bërë pranimin teknik të ndërtesave.

“Asnjë komunë nuk ka kuadër adekuatë për pranimin teknik të ndërtesave dhe çdo komunë ka shkelur ligjin, duke mos e bërë pranimin teknik ashtu siç është i paraparë me ligjin i cili është aprovuar ën vitin 2013. Me përfundimin e objektit, Komuna ka për obligim që ta bëjë pranimin teknik, sepse janë të paguara të gjitha obligimet, si mbikëqyrja e inspektorëve adekuatë dhe në bazë të proceseve të bëra gjatë ndërtimit me përfundimin e sajë, vetëm duke shikuar ditarët dhe mbarëvajtjen e punës është i obliguar që ta bëjë pranimin teknik. Andaj,asnjë komunë nuk e ka bërë në mënyrë të rregullt, duke bërë pranime teknike me komisione të cilat e kanë gjobitur ndërtuesin dhe kanë formuar komisione ad hoc për ta bërë atë prenime teknik”, tha Selimaj për Lajmi.net.

Ai tha se Prishtina po vuan më së shumti nga mos pranimi teknik i objekteve, ngas aty janë të orientuara 70 për qind e ndërtimeve. “Po ashtu është Ferizaj, Prizreni, Peja, Gjilani, Mitrovica etj. Pra, në krejt Komunat është i njëjti problem, pro disa nga to po bëjnë pranime teknike, ndërsa Prishtina ka stopuar komplet”, shtoi tutje.

Bizneset e ndërtimit ankohen për zvarritje

Bizneset e ndërtimit në Prishtinë nuk dëshirojnë të flasin zyrtarisht lidhur lëshimin e certifikatave të përdorimit, por tregojnë se vonesat në këtë proces po u shkaktojnë teleshe.

“Me ligj është e caktuar që gjatë ndërtimit të bëhet inspektimi i punimeve, e pastaj komuna të japë leje përdorimi. Inspektorati i mbledh nënshkrimet, dorëzohet i gjithë dokumentacioni me ditarin e punës dhe ndërtimor, projekti i zbatuar dhe procesverbalet. Komuna e Prishtinës nuk është duke lëvizur fare në këtë aspekt. Me sa di, komuna po ankohet se ndërtuesit nuk po shkojnë për aplikim në Komunë për certifikatë, por ne kemi aplikuar që disa muja dhe akoma nuk kemi përgjigje”, tha një ndërtimtar i Prishtinës për lajmi.net.

Kushtrim Fazliu, një agjent në tregun e patundshmërive në kryeqytet, tregon për pengesat e shumta që po shkaktohen në ndërtesat që nuk kanë pranim teknik.

“Në çdo vend të botës kur blihet banesë, blihet hipotekë. Në Kosovë, jo. Këtu blihet një pjesë e ndërtesës. Kjo situatë po e shkatërron tregun e patundshmërive. Situata e tillë imponon që blerjet të bëhen si në kohën e gurit, pra përmes trambit, si shkëmbim në ndonjë banesë më të lirë, me veturë apo me ndonjë tokë. Askush nuk i ka kesh 60-70 mijë euro ta blejë një banesë. Bankat nuk i marrin hipotekë banesat që s’kanë leje pranimi dhe si rrjedhojë nuk lëshojnë kredi. Në gjithë këtë katrahurë, po e pësojnë ata që i blejnë ato banesa me 100 peripeci, pasi ndërtuesit pos që nuk ndëshkohen, po lejohen nga komuna edhe të mos i kryejnë obligimet e tyre për përfundim te objekteve”, tha Fazliu.

Çka thotë ligji?

Spia ligjit nr 04/L – 110 Për Ndërtim, neni 27 e ka përcaktuar se “Për të gjitha objektet ndërtimore për të cilat kërkohet leja ndërtimore, merret edhe certifikata e përdorimit para se objekti të përdoret. 2. Certifikata e përdorimit lëshohet kur të plotësohen këto kushte: 2.1. kërkesat e lejes ndërtimore janë zbatuar; 2.2. poseduesi i lejes ndërtimore dhe/ose kontraktuesi kanë hequr dhe hedhur mbeturinat ndërtimore nga vend ndërtimi në deponi adekuate të mbeturinave ndërtimore, të caktuar në mënyrë specifike për këtë qëllim, dhe 2.3. masat e kursimeve dhe efiçiencës së energjisë janë zbatuar. 3. Për objekte ndërtimore që përbëhen nga pjesë të pavarura funksionale mund të lëshohen certifikata të ndara përdorimi për ato pjesë të pavarura funksionale kur plotësohen kërkesat e lejes ndërtimore”.

Ndërkohë, sipas nenit 28 të këtij ligji, certifikata e përdorimit lëshohet nga organi kompetent. Ndërsa, kërkesës për lëshimin e certifikatës së përdorimit i bashkëngjitet si vijon: 2.1. protokollet e nënshkruara që verifikojnë përfundimin e të gjitha fazave të ndërtimit të përcaktuara për objektin në dokumentacionin ndërtimor, dhe 2.2. evidencën e rezultateve pozitive të testimit të kryer siç është parashikuar në Kod. 3. Inspekcioni ndërtimor ka të drejtë të bëj inspektimin final të vend ndërtimit dhe poseduesi i lejes ndërtimore duhet t’i siguroj qasje të arsyeshme në vend ndërtim. 4. Nëse kushtet e parapara me ligj janë përmbushur, organi kompetent lëshon certifikatën e përdorimit brenda pesëmbëdhjetë ditëve për kategorinë I dhe brenda tridhjetë ditëve për kategorinë II dhe III prej ditës së pranimit të dokumentacionit. Në rast se organi kompetent nuk e ka informuar aplikuesin për vendimin e tij brenda afatit të paraparë, certifikata e përdorimit konsiderohet e lëshuar. Në rastin e tillë, organi kompetent e lëshon certifikatën e përdorimit. /Lajmi.net/