BlackBerry shkurton 40 % të fuqisë punëtore
Ish-gjiganti i telefonave mobilë, BlackBerry, do largojë më shumë se 4,500 punëtorë, si pasojë e humbjeve financiare. Shkurtimi përbën rreth 40 % të fuqisë punëtore të kompanisë.
Lajme
Research in Motion, kompania që prodhonte BlackBerry, arriti suksesin më të madh në industrinë e telefonave mobilë në kohën kur Barack Obama fitoi zgjedhjet e para presidenciale në SHBA në vitin 2007. Telefonat që kishin pamje dhe funksionalitet unik u bënë ikona të botës së korporatave dhe politikës. Obama promovoi edhe më tej telefonin e tij BlackBerry, pasi që e bëri prioritet personal shfrytëzimin e tij të vazhdueshëm në publik.
BlackBerry para katër vjetësh kontrollonte 51% të tregut të telefonave të mençur në Amerikën Veriore.
Aksionet e kompanisë ranë për rreth 17% në treg menjëherë pas publikimit të njoftimit për shkurtim e 4,500 vendeve të punës. Aksionet tash për tash shiten për 8.73 dollarë amerikan.
Kompania pritet të raportojë rreth 1 miliard dollarë amerikan humbje për tremujorin e dytë të këtij viti. Humbjet janë pasojë e uljes së shitjeve dhe rritjes së borxheve ndaj furnitorëve.
Prodhimet e BlackBerry’t nuk arritën të kapin hapin e zhvillimit teknologjik të telefonave mobilë, ngjashëm me Nokia’n. Kompania nuk arriti të avancojë ekranin e telefonave dhe i qëndroi besnik tastaturës klasike. Por, konsumatorët ecën me kohën dhe gradualisht shitjet e BlackBerry’t u zvogëluan.
Në ndërkohë, prodhuesit Apple dhe Samsung avancuan shumë teknologjinë e telefonave të mençur, përmes përmirësimit të ekraneve, shpejtësisë, lehtësisë në përdorim, e kështu më radhë.