Bizneset të pakënaqura me Ligjin e ri për punëtorët, kërkohet ndryshimi i tij
Janë mbi 5 mijë punëtorë të cilët janë formalizuar nga kompanitë nga hyrja në fuqi e ligjit të ri me vendim të Ministrisë së Financave, Punës dhe Transfereve që punëtorëve t’u jepet kontratë qysh një ditë para fillimit të punës. Kështu, bëjnë të ditur drejtues nga Administrata Tatimore të Kosovës (ATK), që sipas tyre ka…
Lajme
Janë mbi 5 mijë punëtorë të cilët janë formalizuar nga kompanitë nga hyrja në fuqi e ligjit të ri me vendim të Ministrisë së Financave, Punës dhe Transfereve që punëtorëve t’u jepet kontratë qysh një ditë para fillimit të punës. Kështu, bëjnë të ditur drejtues nga Administrata Tatimore të Kosovës (ATK), që sipas tyre ka ende shumë punë për të bërë në këtë drejtim.
Të suksesshëm këtë vendim, e vlerësojnë edhe nga Ministria e Financave, për dallim nga njohës të ekonomisë dhe biznese të cilët konsiderojnë se jo çdoherë duhet të sanksionohet kompania, porse gjoba duhet të shkojë edhe për punëtorin që ka pranuar të punojë duke shkelur ligjin.
Ministri i Financave, Punës dhe Transfereve, Hekuran Murati thotë për KosovaPress se në vazhdimësi ekipet përgjegjëse janë në terren duke shikuar nëse po respektohet ligji, porse sipas tij, nga të dhënat e deritanishme shihet se ka sukses. Teksa shton se për ata që nuk e kanë respektuar ligjin ka pasur edhe shqiptim të gjobave.
Ligji është duke pasur sukses, ka një numër të konsiderueshëm të bizneseve që kanë regjistruar punëtorët
“Është duke u zbatuar…Patjetër që ka (gjoba) parashihet me ligj çdo gjë…Është në vazhdimësi, në terren janë (ekipet), në momentin kur e kemi një përmbledhje ose përfundim mund të dalim me njoftime se sa ka gjoba apo si janë shqiptuar…Por, po ka sukses, se po ka një numër të konsiderueshëm të qytetarëve ose të bizneseve që kanë regjistruar punëtorët e tyre”, thotë Murati.
Ndërsa, drejtori i Administratës Tatimore të Kosovës (ATK), Ilir Murtezaj thotë se kjo po parandalon tendencat që bizneset por edhe punëtorët të justifikoheshin gjatë inspektimeve në kohën kur kanë hasur në punëtor të pa formalizuar.
Ligji ri po parandalon tendencat e bizneseve të arsyetohen nëse gjenden punëtorë të pafromalizuar
“Kjo parandalon gjetjet e tona ose tendencat që gjatë inspektimeve të inspektorëve në terren në vazhdimësi bizneset por edhe punëtorët mundoheshin të justifikoheshin sikurse në të njëjtën ditë kur është gjetur i pa formalizuar atë ditë ka filluar punën…09:36Efektet janë evidente, sepse vetëm gjatë kësaj kohe rreth gjashtë javë që ka hyrë ligji në fuqi, kemi më shumë se 5 mijë punëtor të cilët janë lajmëruar apo formalizuar, gjë që nënkupton që ka fillim të zbatimit më korrekt të kësaj përgjegjësie ligjore…10:08 Gjatë inspektimeve ka raste që gjenden edhe shkelje, fatkeqësisht ende ka prezentë, edhe pse ka një përmirësim të konsiderueshëm, sepse…mund të jenë rreth 200 punëtor të identifikuar por që fakti që ka përmirësim nuk nënkupton që duhet të ndalime”, thotë Murtezaj.
Ndërkaq, me këtë ligj, nuk janë shprehur të kënaqura bizneset. Sipas tyre, jo çdoherë duhet të pësojë kompania.
Biznesmeni Ramiz Kelmendi thotë se çdoherë po sanksionohet kompania, pavarësisht se punëtori është ai që nuk duhet të pranojë të shkel ligjin dhe të punojë pa kontratë.
Çdoherë po sanksionohet kompania, duhet të gjobitet edhe punëtori që shkel ligjin
“Nuk është as i dobishëm, por as i dëmshëm. Meqenëse të gjitha ato biznese formale për ta nuk paraqet problem, por as ndonjë dobi as për biznesin, dhe të punësuarin. Pro, meqenëse po mendohet që me disa ligje shtesë po kontribuojnë në ngritjen e respektimeve të ligjit është gabim. Inspektori i punës por edhe vet punëdhënësi e punëmarrësi, janë të vetëdijshëm dhe janë të obligueshëm ta lejojnë ligjin e punës në momentin kur dëshiron të aplikojë për punë…Në momentin që tani ekziston edhe i punësuari pa kontratë pune, edhe punëdhënësi pa kontratë pune, gjoba ish dashtë të shkojë tek dy palët, për arsyeje se edhe ky e ka filluar punën pa kontratë, por edhe tjetri ja ka mundësuar ardhjen në punë pa kontratë. Prandaj, nuk e kemi tash një palë, por gjithmonë duhet t’i konsiderojmë punëtorët si njerëz që njohin ligjin, që janë intelektual që dinë rregullat, dhe jo assesi që gjithmonë të sanksionohet kompania, se në këtë rast gjithnjë po sanksionohet kompania. Prandaj, sa herë që gjobitet është një dëm, duhet të gjobitet ai që e ka shkelur ligjin”, thotë Kelmendi.
Se ky ligj nuk është në të mirën e bizneseve e thonë edhe njohës të ekonomisë. Kryetari i Odës Ekonomike Amerikane në Kosovë, Arian Zeka thotë se vazhdimisht është duke u shtuar kostoja e operimit të bizneseve të cilat tashmë detyrohen që të kryen këto obligime ligjore.
Ndërsa, ka shtuar se në të njëjtën kohë ky ligj është në kundërshtim edhe me dispozitat e ligjit themelor të punës.
Ligji është në kundërshtim me dispozitat e ligjit themelor të punës
“Derisa ne e kuptojmë që qëllimi është luftimi i ekonomisë joformale, megjithatë duhet të theksojmë që janë shtuar procedurat burokratike dhe rrjedhimisht është shtuar kostoja e operimit për bizneset të cilat tashmë detyrohen që të kryen këto obligime ligjore. Është thënë edhe nga përfaqësues të ndërmarrjeve private, por edhe nga ekspert të ekonomisë që ekzistojnë raste kur punonjësit deklarohen në ATK një ditë përpara, ashtu edhe siç është tashmë edhe kërkesë e re e ligjit, por megjithatë të njëjtit mund të mos e nisin punën fare në ditën kur ata duhet të paraqiten në punë. Në të njëjtën kohë, besojmë se kjo dispozitë është në kundërshtim edhe me dispozitat e ligjit themelor të punës i cili thotë në mënyrë shumë eksplicite që marrëdhënia e punës dallon realisht vetëm në ditën kur punonjësi nis punën pranë ndërmarrjes së caktuar private. Në këtë rast i bie që legjislacioni tatimor shkon një hap para ligjit të punës dhe rrjedhimisht kur kemi konflikt ndërmjet dispozitave të njërit ligj dhe dispozitave të ligjit tjetër”, thotë Zeka.
Ndërsa, para hyrjes në fuqi të këtij ligji, bizneset kishin afat prej 45 ditësh pas fillimit të punës për ta regjistruar një punëtor. Ndërkaq, kjo kërkesë që kontrata mes punëdhënësit dhe punëtorit të nënshkruhet në ditën e parë të fillimit të punës bazohet në ndryshimet e Ligjit mbi Administrimin e Procedurave Tatimore, i cili është miratuar në Kuvendin e Kosovës më 14 dhjetor.